E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani në Austri, për forcimin e sigurisë rajonale



Në Vjenë të Austrisë u zhvillua takimi i parë i Komitetit të Ministrave për Konventën mbi Bashkëpunimin Policor për Evropën Juglindore, i thirrur nga Shqipëria, në cilësinë e vendit depozitues të kësaj konvente. Takimi ishte pjesë integrale e një konference të dyfishtë, organizuar nga Ministria e Brendshme e Austrisë për Forumin e Salzburgut dhe për Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, ku morën pjesë të gjitha vendet anëtare të Forumit të Salzburgut, përfaqësues të Komisionit Evropian, SHBA, Europolit etj. Çështjet kryesore të trajtuara në këtë konferencë ishin lufta kundër terrorizmit dhe kriminalitetit, siguria e kufijve, përmirësimi i cilësisë së dokumenteve të identifikimit dhe thellimi i dialogut ndërkulturor. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, në fjalën e tij gjatë konferencës përmendi disa nga arritjet kryesore gjatë implementimit të Konventës për Bashkëpunim Policor në Evropën Juglindore, si ngritja e pikave kombëtare të kontaktit, takimet e ekspertëve, përafrimi i legjislacionit me BE-në për të dhënat personale, marrëveshjet për patrullimet e përbashkëta me vendet fqinje dhe ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar. “Qëllimi i të gjitha vendeve tona është të përafrojmë standardet e sigurisë me standardet e Bashkimit Evropian dhe të koordinojmë e harmonizojmë veprimtarinë tonë në kuadër të forcimit të sigurisë rajonale dhe evropiane në tërësi”, - u shpreh ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ministren e Brendshme të Austrisë, znj. Maria Fekter dhe ndihmës-sekretarin e Departamentit të Sigurisë së SHBA, z. Stewart Baker.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›