Çimentoja e skaduar, reagon “Gjoka”: E marrim nga Italia
KUKES - Një ditë pas skandalit të çimentos së skaduar me të cilën po bëhen punimet në autostradën Durrës-Kukës reagojnë firmat duke mohuar prejardhjen e mallit nga Maqedonia. Përfaqësues të firmës “Gjoka” mohojnë një fakt të tillë duke deklaruar se, çimentoja me të cilën ata po bëjnë punime është italiane dhe e një standardi cilësor. Duket se reagimi i firmës së punimeve të këtij segmenti, e cilësuar si një nga veprat më të rëndësishme të infrastrukturës në vendin tonë, vjen pas një telefonate me kritika të ashpra nga “lart”. Firma mohoi dje edhe shembjen e një brezi betoni sigurie prej 1 kilometër i gjatë në anën e rrugës, që shërben për mbajtjen e dherave dhe shkëmbinjve për të mos rënë në rrugë. Ndonëse ky fakt është investiguar tashmë, dhe ndërkohë është pranuar pak kohë më parë edhe nga punonjësit e firmës, sërish “Gjoka” e kundërshton këtë duke e quajtur thjesht sajesë. Pjesa e segmentit ku tashmë punimet janë vënë në diskutim për shkak të cilësisë së dobët të çimentos është nga fshati Kolsh, ku mbaron projekti i “Becthel & Enka”, deri në Myç Mamëz, 5 kilometra e gjatë, ku punon firma “Albullding”, si dhe nga Myç Mamëzi deri tek ura e Drinit të Zi ku punon firma “Gjoka”. Inxhinieri i kësaj firme, Rusland Kallabaku, i cili supervizon punimet në 2.6 kilometra të segmentit Myç Mamëz-Ura e Drinit të Zi mohoi skandalin. Ai gjithashtu mohoi të jetë prishur betonimi mbajtës prej 1 kilometra. “Ne e marrim çimenton në Durrës. Është e prodhimit “Eurotec” dhe vjen nga Italia”, u shpreh ing. Kallabaku. Sipas tij, janë bërë gjithnjë të gjitha analizat e kampionëve të ngarkesave dhe nga 420 që duhet të jetë treguesi i betonit, pas analizave del 520. j.h