E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisi DAM’i

Filarmonia e Kosovës, nën drejtimin e fenomenit britanik Alexander Prior, hapi mbrëmë Festivalin DAM. Në piano interpretoi pianistja kineze Wu Qian, kurse “pianisti rebel” Maurizio Mastrini do të performojë sonte. Nga Express më 28 mars 2011 në ora 09:57

Festivali DAM është hapur të dielën mbrëma në Prishtinë, me koncertin e Filarmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit të ri, fenomenit britanik Alexander Prior. Prior ka dirigjuar orkestrat me renome, si Filarmonia Mbretërore e Londrës dhe Orkestra Simfonike e Teatrit Bolshoi.

Në një konferencë për gazetarë, të dielën, përveç Priorit e pranishme ishte edhe pianistja kineze Wu Qian, e cila është paraqitur në koncertin e hapjes, duke interpretuar koncertin për piano dhe orkestër nr. 4 të Beethovenit. Ndërkaq, para gazetarëve u shfaq edhe italian Maurizio Mastrini – “pianisti rebel”, i cili shokoi botën me prezantimin e teknikës së tij të interpretimit të perlave të muzikës klasike. Ai do të sjell të hënën (sonte) për publikun kosovar repertorin e Bachut, Beethovenit e Mozartit për së prapthi - duke interpretuar nga nota e fundit në atë të fillimit. Mastrini është mysafir special i Festivalit.

Alexander Prior (1992) është ndër talentët më të shquar të kohës sonë. Si kompozitor, ai ka një numër të konsiderueshëm veprash të shkruara për formacione të ndryshme - nga ato kamertale deri tek operat e përmasave të mëdha. Në moshën 12 vjeçare ai qe porositur nga Baleti Shtetëror Rus të shkruajë operën Mowgli, premiera e së cilës u dha në Kremlin dhe u vlerësua lart nga kritika ndërkombëtare. Premierat e veprave të tij interpretohen në sallat më prestigjioze të botës.

E zgjedhur si ylli i ri i muzikës klasike për vitin 2007 nga gazeta “Independent”, Wu Qian është paraqitur me recitale nëpër Evropë, përfshirë edhe Sallën Steinway në Hamburgut dhe atë të New Yorkut, performanca këto të cilat janë transmetuar nëpër kanale të ndryshme aziatike. Është paraqitur edhe nëpër salla të mëdha në Mbretërinë e Bashkuar, si Wigmore, Royal Festival dhe Bridgewater Halls, e po ashtu edhe në City Hall të Hong Kongut.

Ndërkaq, Maurizio Mastrini është një nga pianistët më të shquar në panoramën muzikore ndërkombëtare. Ai nisi të tërheq vëmendjen vitet e fundit, sepse interpreton veprat e famshme të muzikës klasike, duke filluar nga nota e fundit në atë të fillimit. Rezultati në fund është mahnitës dhe publiku mund të dëgjojë një pjesë duke përdorur notat e njëjta nga origjinali, por të interpretuara së prapthi. Kreativiteti i tij muzikor ka rrënjët e tij në Umbria ku ai jeton. Shumë nga kompozimet e tij janë minimaliste, të tjera shfaqin konceptin matematik, e të tjera përbëhen a ndërtohen vetëm mbi disa nota.

Mastrini u lind në Panicale, një vend i vogël në Umbria, nga pridër të rinj (babi 18 dhe e ëma 16 vjeç). Babai i tij e kishte vënë re talentin e Mastrinit për muzikë. Kur ishte vetëm 7-8 vjeçar ai luante në set daullesh të improvizuara nga teneqet, që përdoreshin nga babai i tij për konstruktim mekanik. Ai e dërgoi te një mësues muzike, i cili me të kuptuar talentin e djalit i sugjeroi të shkonte në konservator. Mastrini nisi të luante piano dhe shpejt u konsiderua fëmija “ogur”. Ai fitoi disa konkurse ndërkombëtare, incizon për linjën Azzurra dhe shet CD anekënd globit. Turnetë e tij të shumtë e kanë bërë atë të koncertojë në Islandë, Danimarkë, Turqi, Francë, Angli, Holandë, SHBA, Spanjë dhe Republikën Çeke.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›