E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për gërvishtjen e makinave, theren me thika tre adoleshentë

Tre adoleshentë janë përplasur me njëri-tjetrin duke arritur deri në përdorimin e thikave, pas një konflikti të lindur për shkak të gërvishtjes së makinave. Një prej tyre është në gjendje kritike për jetën, pas plagëve të marra nga thika e bashkëmoshatarit. Policia deklaron për gazetën se të tre të rinjtë janë plagosur, ndërsa për njërin prej tyre është marrë masa e arrestit, edhe pse ndodhet në spital.

Ngjarja e rëndë, ku janë përfshirë tre 16-vjeçarë ka ndodhur në fshatin Fermë Çlirim të Komunës Qendër, rreth 4 kilometra larg qytetit të Fierit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se rreth orës 15.30 Sh. Caushi, S. Rama dhe A. Vernozi, të tre 16-vjeçarë dhe banorë të fshatit Fermë Çlirim, kanë debatuar në një bilardo. Burimet policore tregojnë se debati mes të rinjve ka nisur disa orë para sherrit në bilardo, për shkak të gërvishtjes së makinave. S. Rama dhe Sh. Caushi kanë qenë duke lëvizur nëpër fshat me një makinë, ndërkohë që bashkëmoshatari i tyre A. Vernozi lëvizte me një makinë tjetër dhe në një rrugë makinat janë gërvishtur. Shkëmbimi i fjalëve fyese dhe kërcënuese pas gërvishtjes së mjeteve të të dyja palëve është pasuar rreth dy orë më vonë në bilardo. Pasi kanë shkuar deri në konfrontim fizik, A. Vërnozi mësohet se ka gjetur një thikë dhe me të ka goditur në drejtim të dy bashkëmoshatarëve. Ndërkohë që S. Rama ka marrë dy plagë të thella në trup, shoku i tij i plagosur më lehtë, Sh. Caushi, me anën e një kaçavide ka goditur A. Vernozin. Ky i fundit ka marrë plagë më të lehta. Në debat e sipër mes tre të rinjve kanë hyrë persona të rastësishëm, të cilët kanë njoftuar edhe policinë. Në acarim e sipër të situatës tre të rinjtë të plagosur, dikush më rëndë e dikush më lehtë, janë transportuar për në spitalin rajonal të Fierit.

S. Rama dhe shoku i tij Sh. Caushi janë futur menjëherë në sallën e operacionit. Mjekët thanë se gjendja shëndetësore e dy të rinjve është e rëndë dhe S. Rama paraqet rrezik për jetën, pasi thika e ka prekur në pjesën e kraharorit dhe i ka shkaktuar hemorragji të madhe.

Po në katin e dytë të spitalit të Fierit, në repartin e reanimacionit gjendet edhe bashkëmoshatari i tyre A. Vernozi. Sipas mjekëve, ai ka dalë nga gjendja kritike. Policia e ka prangosur atë në mjediset e spitalit. Atij i është komunikuar edhe akuza e plagosjes së rëndë me dashje. Policia e ka cilësuar 16-vjeçarin Vernozi autor të kësaj ngjarjeje, pasi nga hetimet e kryera prej saj ka dalë se shkaktari i përplasjes me pasoja mes tre 16-vjeçarëve ka qenë pikërisht ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›