E Shtunë, 31 Tetor 2026

E përplas makina, vdes 65-vjeçari

Një person është aksidentuar rëndë në hyrje të qytetit të Shkodrës, në vendin e quajtur Pazar dje paradite, rreth orës 11.30. Personi i dëmtuar, shtetasi Angjelin Shllaku, 65 vjeç, ka qenë duke lëvizur me biçikletë dhe në momentin që ka tentuar të kalojë nga një krah i rrugës në tjetrin është përplasur nga një automjet tip "Mercedes Benz" me targë SH6847E. Si pasojë e përplasjes së fortë, 65-vjeçari ka marrë dëmtime të rënda në kokë dhe është dërguar në gjendje kritike për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Mjekët i kanë bërë të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar, por plagët që kishte marrë 65-vjeçari kanë qenë të rënda dhe për pasojë ai ka ndërruar jetë pak orë pas mbërritjes në spital. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit që u përshi në aksident, Fatmir Shala, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë së Shkodrës. Sipas policisë, nga hetimet e para dyshohet që shkak i aksidentit është bërë prerja në mënyrë e pakujdesshme e rrugës nga 65-vjeçari që lëvizte me biçikletë. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë duke verifikuar edhe shpejtësinë me të cilën lëvizte automjeti. Për shkak të aksidentit të rëndë, njëra korsi e rrugës hyrëse të qytetit të Shkodrës ka qëndruar e bllokuar për rreth dy orë. Sipas drejtuesve të policisë rrugore të Shkodrës, kalimtarët e pakujdesshëm në lëvizjet që bëjnë në rrugë po bëhen gjithnjë e më shumë burim aksidentesh. Sipas të njëjtave burime, mësohet se pjesa më e madhe e aksidenteve të ndodhura në qytet provokohen nga lëvizjet e pakontrolluara të kalimtarëve.

a.h.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›