E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin ethet e Berlinit

Në Berlin të enjten mbrëma filloi Festivali i 61 Ndërkombëtar i Filmit – Berlinale, i cili do të zgjas deri më 20 shkurt. Brenda seksioneve të ndryshme të festivalit do të shfaqen rreth 400 filma, ndërkaq për shpërblimin Ariu i Artë garojnë 16 realizime. Sivjet nuk mungojnë as shqiptarët. Nga Express më 11 shkurt 2011 në ora 13:45

Vëmendjen e shikuesve sigurisht se do ta tërheq edhe pjesëmarrja e filmave vëllezërve Coen, Joel dhe Ithan, “Njeriu i Quajtur Trimëri”, i cili është nominuar edhe për Çmimin Oscar, në dhjetë kategori, dhe e “True Grit”, i cili të enjten mbrëma edhe hapi festivalin në Berlin.
Në Berlinalen e sivjetme për herë të parë do të shfaqen edhe dy filma në 3D. Janë këta filmat “Përrallat e Natës”, i regjisorit francez Michele Oselot, dhe “Pina” i Wim Wenders, i cili flet për koreografen e ndjerë gjermane Pini Bausch.

Si pjesë e filmave të produksionit amerikan, në festival do të shfaqet trileri i J. C. Chandor, “Margine Call”, në të cilin luajnë Kevin Spacey dhe Demi More, dhe filmi ‘The Future”, i aktores dhe regjisores Miranda July.
Sivjet do të mbahet edhe retrospektiva e filmave të regjisorit të njohur të ndjerë suedez, Ingmar Bergman, i cili ka xhiruar mbi 60 filma, përfshirë klasikun “Dredhëzat e Egra”, i cili ishte fitues i Ariut të Artë në vitin 1958, por edhe filmat “Pamje Nga Jeta Bashkëshortore” dhe “Fanny and Alexander’, i cili fitoi katër çmime Oscar. Në fakt, në kuadër të kësaj retrospektive do të shfaqen të gjithë filmat e Bergman, por edhe disa realizime për të cilat ai e kishte bërë skenarin.

Kryetare e Jurisë së sivjetme të Berlinales është Isabelle Rosellini, megjithëse një vëmendje shumë të madhe se ajo në Berlin po tërheq mosprezenca e një anëtari tjetër të jurisë, e regjisorit iranian Jafar Panahi, të cilin në dhjetor të vitit të kaluar pushteti në Teheran e dënoi me gjashtë vjet burg dhe me 20 vjet ndalim të ushtrimit të profesionit.

Panahi kështu u bë simbol i rezistencës kundër sistemit johuman të Iranit, ndërkaq festivali i Berlinit vetëm sa e vërtetoi profilin e tij si festival politik. Mirëpo, pavarësisht mungesës së regjisorit iranian në Berlin, ai megjithatë do të jetë prezent aty. Kolegu i tij Raffi Pitts ka bërë thirrje që 11 shkurti të jetë dita e aksionit të solidarizimit botëror me Panahi’n. Kështu, në shumë pjesë të botës punëtorët filmikë do ta ndërpresin punën e tyre për dy orë, me qëllim të solidarizimit me regjisorin iranian, i cili në vitin 2006 fitoi Ariun e Argjendtë në Berlin, me filmin e tij “Offside”.

Pjesa në shqip

Nuk do të mungojë as prezantimi i disa historive nga Shqipëria, ngase tre filma, pjesë e të cilëve janë aktorët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, do të jenë pjesë e programeve të disa seksioneve të rëndësishme të Berlinales.

Në garë për Ariun e Artë është filmi “Falja e Gjakut” (The Forgiveness Of Blood), që është një kooproduksion i SHBA, Shqipërisë, Danimarkës dhe Italisë, me regji të Joshua Marston. Rolet kryesore në film i luajnë Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Refet Abazi, Ilire Vinca Çelaj, etj. Filmi trajton gjakmarrjen shqiptare.

Në seksionin Forum, të Berlinales, ndërkaq shfaqet filmi “Amnistia”, që është një kooproduksion i Shqipërisë, Greqisë dhe Francës. Regjisori i filmit është regjisori shqiptar Bujar Alimani, ndërsa në rolet kryesore paraqiten Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi dhe Mirela Naska. Filmi i Alimanit ka në fokus një raporte të brishtë njerëzor brenda mjedisit të ashpër shqiptar.

Në seksionin Perspektiva e Kinemasë Gjermane, shfaqet filmi “Shqiptari” (Der Albaner), një kooproduksion ky gjermano-shqiptar, në regji të Johannes Naber. Rolet kryesore i luajnë Nik Xhelilaj, Xhejlane Terbunja, Çun Lajçi, Luan Jaha, Fatime Lajçi, Vasillaq Godo, Ivan Shvedoff, Amos Zaharia,etj. “Shqiptar” rrëfen jetën e një emigranti shqiptar nga Tropoja, i cili ia mësyn Gjermanisë për të fituar 10,000 euro, që i duhen për të paguar “çmimin” e martesës me vajzën që dashuron.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›