Strategjia për veriun, vetëm në letër

Strategjia për veriun e Kosovës ka dështuar së realizuari për shkak se nuk ka pasur interesim në realizimin e saj nga vendorët dhe bashkësia ndërkombëtare. Kështu është konkluduar në debatin me temën “Një vit i ekzistimit të strategjisë për veriun e Kosovës-çka është bërë”. Panelistët po ashtu thanë se e vetmja zgjidhje për veriun e Kosovës janë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Një vit pas hartimit të saj, strategjia për veriun mblodhi të premten në Qendrën Mediale në Çagllavicë, analistë, përfaqësues të ICO-s dhe organizatave jo qeveritare, të cilët vlerësuan se kjo strategji ka mbetur vetëm në letër dhe situata në veriun e Mitrovicës vazhdon të jetë e ndërlikuar.
Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka thënë se mos realizimi i strategjisë për veriun është rezultat i mos interesimit të institucioneve vendore, por as atyre ndërkombëtare në Kosovë.
“Pse nuk po realizohet strategjia për veriun, e cila dukej serioze në shikim të parë dhe përgjigjja është shumë e thjeshtë. Nuk është marrë askush me të. Pyetja tjetër se a ka zgjidhje për veriun e Kosovës dhe sigurisht që ka, por problemi është se Prishtina zyrtare asnjëherë deri më tani nuk është marrë asnjëherë me këtë problem dhe fatkeqësisht me këtë problem nuk është marrë seriozisht as zyra civile ICO”, ka thënë Spahiu.
Përfaqësuesja e ICO-s, Kate Fearon, ka vlerësuar se procesi i decentralizimit dhe themelimi i komunës së re të Mitrovicës veriore është mënyra më e mirë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve në këtë pjesë. Por, sipas saj në këtë pjesë është një situatë e ndërlikuar, sepse ekzistojnë një numër të madh të komuniteteve që kanë interesat e tyre.
“Situata është mjaft e ndërlikuar, por bisedimet në mes të Beogradit dhe Prishtinës, sipas nesh, sa i përket veriut të Mitrovicës do të paraqitnin një zgjidhje dhe ne dëshirojmë ta përmirësojmë jetën e njerëzve përmes një zinxhiri të qëndrueshëm në partneritet me popullatën lokale, pa i imponuar çështjet”, ka thënë Fearon, transmeton KosovaPress.