Nisin festimet në Prishtinë, Thaçi: Kosova do njihet nga gjithë bota

Nis festa në Prishtinë për përvjetorin e parë të Pavarësisë. Kryeministri Hashim Thaçi, në vigjilje të festës shprehet optimist për njohjen e Kosovës nga shumë vende të tjera. "Kosova do të bëhet anëtare e NATO-s, e Bashkimit Evropian dhe e Kombeve të Bashkuara dhe ne do të njihemi nga e gjithë bota"- ka thënë ai, duke shtuar se për numrin e vendeve, që deri tani e kanë njohur Kosovën, nuk janë të rëndësishëm numrat "por vlera që ata përfaqësojnë". Koncerte, fishekzjarre dhe një mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës, është përmbajtja e programit festiv për Ditën e Pavarësisë, organizuar nga Qeveria e Kosovës bashkërisht me Kuvendin dhe me Presidencën. Aktivitetet për shënimin e njëvjetorit të pavarësisë do të fillojnë në orën 11:00, me një mbledhje solemne të Kuvendit të Republikës, ku do t'i adresohen Kuvendit dhe qytetarëve, presidenti, kryeministri, edhe kryeparlamentari. Po sot për nxënësit dhe për të gjithë qytetarët, një aktivitet që është titulluar "Ecja në pavarësi". Në orën 18:00 ndërkaq, do të jetë koncerti i Filarmonisë së Republikës së Kosovës, që mbahet nën patronazhin e Qeverisë së Republikës së Kosovës; në orën 21:00 do të jetë një koncert madhështor në Prishtinë, dhe në qytete tjera të Kosovës; në orën 22:00 është parashikuar ndezja e fishekzjarrëve në Prishtinë, por edhe në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës. Liderët institucionalë kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in, do të garantojnë ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës - ndërsa në veri të vendit është paralajmëruar ardhja e deputetëve serbë nga Beogradi, të cilët kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Një vit pas, Kosova është njohur nga 54 shtete të botës, duke përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Kanadanë, si dhe shtete të vogla si Samoa, Belizeja, Nauru e Mikronezia. Letër urimi me rastin e njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës kanë dërguar presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, Lartmadhëria e Saj Mbretëresha Elizabeta II, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, presidenti i Konfederatës Zvicerane, Hans-Rudolf Merz, guvernatorja e përgjithshme e Komonuelthit Australisë, Quentin Bryce etj.