Oqeani Atlantik,përplasen dy nëndetëse
Një përlasje misterioze ka ndodhur pak ditë më parë mes një nëndetseje bërthamore britanike dhe një francezeje. Përplasja ka shkaktuar dëmtime serioze në bordet e dy nëndetseve, por sipas informacioneve asnjëri nga marinarët e dy ekuipazheve nuk ka pësuar ndonjë dëmtim. Ngjarja ka ndodhur në mesin e oqeanit Atlantik. Edhe pse të pajisur me sensorë për dëgjimin e zhurmave, asnjëra prej nëndetseve nuk e ka vënë re njëra - tjetrën. Ministria britanike e Mbrojtjes nuk ka bërë komente për ngjarjen, por ka deklaruar se nuk është cënuar siguria bërthamore. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga pala franceze. Sipas tyre, nëndetset po lëviznin në thellësi, por me një shpejtësi të vogël. Nëndetsja britanike po transportonte raketa bërthamore "Trident" dhe mendohet që edhe ajo franceze të ketë qënë duke transportuar raketa. Dy vendet, si Britania e Madhe, ashtu edhe Franca, këmbëngulin se nuk ka rrezik për incident bërthamor.