Nisin ndëshkimet për hashashin, 3 në pranga dhe dy në kërkim
Nisin ndëshkimet e para për kultivim të lëndëve narkotike. Strukturat e rendit kanë arrestuar tre persona, të afërm me njëri-tjetrin në rrethin e Beratit, kanë shpallur në kërkim në person tjetër, ndërsa një kryeplak po hetohet në gjendje të lirë. Policitë e rretheve të Beratit, Krujë, Vlorës dhe Shkodrës kanë organizuar operacione anti-Cannabis në disa zona, duke asgjësuar me mijëra rrënjë.
Prej disa javësh në të gjithë vendin kanë nisur aksionet për asgjësimin e bimës së ndaluar, ku kanë qenë të pakta prangosjet. Pak ditë më parë, Policia e Gjirokastrës gjeti një sasi të konsiderueshme rrënjësh hashashi në fshatin “Asim Zeneli” në komunën Antigone, por “shpata e ligjit” ra vetëm ndaj disa të moshuarve, të cilët po hetohen në gjendje të lirë.
Tre të ndaluar në Berat
Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit organizoi një operacion mbrëmjen e së dielës në fshatin Terovë, të komunës së Tërpanit, ku ka asgjësuar një parcelë me 537 rrënjë Cannabis Sativa. Sipas burimeve zyrtare, janë arrestuar kultivuesit e saj: përkatësisht shtetasit: Elison Xhelili, 17-vjeç, Vullnet Alizoti, 35-vjeç dhe Bledi (Shefqet)Alizoti, 30-vjeç. Materialet në ngarkim të 3 të arrestuarve i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Berat për veprën penale "Të kultivimit të bimëve narkotike". Këto janë arrestimet e para që bëhen në qarkun e Beratit për kultivim të Cannabisit.
Asgjësimi në Krujë
Operacioni “Ora e asgjësimit” në rrethin e Krujës ka sjellë identifikimin dhe shkatërrimin e mbi 1170 rrënjëve Cannabis Sativa, ndërsa është shpallur në kërkim një person. Ndërsa kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Mafsheq, Rap Karaj, pasi në këtë zonë ishin mbjellë katër parcela me lëndë narkotike. Sektori Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë së Krujës, përgjatë ditës së diel, ndërmorën një operacion mbi kontrollin e territorit e veçanërisht zonave të favorizuara nga kushtet e terrenit për kultivim të bimëve narkotike. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut, operacioni u zhvillua kryesisht në territorin e komunës Cudhi, ku u konstatuan 4 parcela të mbjella me bimë narkotike të dyshuara si Cannabis Sativa. Sipërfaqet e mësipërme të tokës ishin të vendosura në afërsi të burimeve ujore dhe të fshehura mes bimësisë shkurrore të zonës. Burimet policore shprehen se u asgjësuan 1.172 bimëve. Tre prej parcelave nuk kanë pronarë, ndërsa filloi procedimi penal në mungesë për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe po punohet për kapjen e shtetasit Zenel Xeka, rreth 50 vjeç, banor i fshatit Mafsheq Krujë, i cili dyshohet të ketë kultivuar sipërfaqen prej 400 m2 bimë narkotike. Po kështu, lidhur me sa më sipër filloi edhe procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të moskallëzimit të krimit ndaj shtetasit Rap Karaj, kryeplak i fshatit Mafsheq, i cili ka lëshuar një deklaratë lidhur me mosekzistencën e bimëve narkotike në territorin e fshatit të tij.
Aksione anti-Cannabis u bënë edhe në Vlorë, ku raportohet për asgjësimin e 98 rrënjëve bimë narkotike në fshatrat Kuç dhe Peshkëpi, respektivisht. "Canabis sattiva" ishte kultivuar në parcela të çelura rishtas për këtë qëllim, në terrene të vështira dhe pranë përrenjve, që rezultojnë të jenë pa pronarë të ligjshëm. Në këto kushte, vështirësohet procesi i hetimit dhe identifikimit të personave të dyshuar. Të shtunën paradite policia e Gjirokastrës nisi një aksion në komunën Antigone, ku u asgjësuan mbi 1 mijë rrënjë. Pas përfundimit të operacionit, nisi ndjekja penale për 4 të moshuar rreth 80-vjeçarë, të cilët po hetohen në gjendje të lirë për shkak të moshës së tyre.
ARRESTIMET
BERAT
Elison Xhelili, 17-vjeç
Vullnet Alizoti, 35-vjeç
Bledi (Shefqet) Alizoti, 30-vjeç
DURRËS
Zenel Xeka, 50 vjeç, shpallet në kërkim
Rap Karaj, kryeplak, hetim në gjendje të lirë
15 Korrik 2008