Sherri për një vajzë, dy të rinj godasin me sende të forta një 18-vjeçar
Tiranë – Dy të rinj kanë goditur me mjete të forta një adoleshent, pasi janë grindur për motive të dobëta në një nga pub-et e njohura të Tiranës. Pas një grindje të çastit, dy persona, tashmë të arrestuar plagosën me sende të forta Dori Jano. Menjëherë pas ngjarjes specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit arritën të identifikojnë dhe kapin autorët e dyshuar të kësaj plagosje, duke marrë masën e arrestit në flagrancë ndaj tyre. Aleks Lala, 22 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë dhe Redi Frashëri, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, janë arrestuar sepse dyshohen se në bashkëpunim me njëri - tjetrin, dje rreth orës 03:20, në rrugën “Xhorxh Bush”, në afërsi të pub-i kanë plagosur rëndë me sende të forta 18 - vjeçarin Dori Jano, banues në Tiranë, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 88 dhe 25 të Kodit Penal.
Pranga tre personave, kundërshtuan dhe goditën policët në krye të detyrës
Tiranë – Uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë kanë kryer arrestimin e tre personave pasi kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e policisë në krye të detyrës. Burime të sigurta thanë për gazetën se nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë u arrestua Petraq Petushi, 38 vjeç, banues në fshatin Gërmej, Aleks Tosku, 22 vjeç, lindur në Peqin dhe banues në Elbasan si dhe Shyqyri Xeka, 42 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Luz Kavajë. Arrestimi Petushit lidhet me një ngjarje të dy ditëve më parë kur ky i fundit në tregun e Rrogozhinës ka kundërshtuar për shkak të detyrës, fyer duke mos ju bindur urdhrave të punonjësit të policisë. Ndërsa prangosja e Toskut u krye pasi pasditen e datës 13 korrik në qendër të Rrogozhinës, ka kundërshtuar me dhunë, fyer dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë të Patrullës së Përgjithshme. Po për konsumim të veprës penale të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë mundësuan kapjen e shtetasit në kërkim Shyqyri Xeka, pasi për të Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë me vendim të datës 13 mars 2008, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Aksidentoi fëmijën, ndalohet nga policia
Kavajë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kryen ndalimin e shtetasit Artur Voci, 40 vjeç, lindur e banues në Elbasan. Ndalimi i tij u krye sepse dy ditë më parë duke drejtuar automjetin tip “Toyota”, me targa EL 8978 A, në fshatin Lekaj Kavajë, ka aksidentuar fëmijën Shaqir Mema, 3 vjeç, banues në fshatin Lekaj. I mituri ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë Kavajë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.
15 Korrik 2008