Arrestohet, plagosi bashkëfshatarin për pronën
ELBASAN – Një konflikt për pronën, ka sjellë plagosjen e një shtetasi, por autori i ngjarjes është ndaluar nga forcat e rendit. Burimet zyrtare të Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se është arrestuar në flagrancë shtetasi Shkëlqim Hazizolli lindur dhe banues në fshatin Katund i Ri, në komunën Bradashesh. Ky shtetas për motive të dobëta ka goditur me mjete të forta bashkëfshatarin e tij, shtetasin R.T, duke i shkaktuar plagë të rënda. I plagosuri ndodhet i shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit në gjendje të rëndë për jetën. Ndërsa mësohet se 42 vjeçari ndodhet në dhomat e paraburgimit të policisë së Elbasanit, në pritje të hetimit për veprën penale të “ plagosjes së rëndë me dashje”.
Prangoset, ishte dënuar me 4 muaj burg për vjedhje
DURRËS – Më në fund policia ka arritur të ndalojë një 17-vjeçar, i dënuar nga drejtësia me 3 muaj burg për vjedhje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë u bë ekzekutimi i vendimit penal të datës 28.02.2007 i Gjykatës së rrethit të Durrësit në ngarkim të shtetasit K. Xh., lindur në Dibër dhe banues në fshatin Rrushkull të rrethit bregdetar. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga policia që më 8 prill të këtij viti për veprën penale të vjedhjes pasi bazuar në vendimin e mësipërm, Gjykata e Rrethit të Durrësit e ka dënuar me 4 muaj heqje lirie. Kapja e tij u bë e mundur nga shërbimet e Pikës Kufitare Kapshticë në kohën kur po tentonte të hynte në territorin shqiptar.
Qëllon me armë para shtëpisë, përfundon në qeli
KRUJË – Një 41 vjeçar ka qëlluar për kënaqësi me kallashnikov përpara shtëpisë së tij, por më pas ka përfunduar në mjediset e paraburgimit të komisariatit të policisë. Burimet policore në Drejtorinë e Qarkut bëjnë të ditur se ditën e dielë, rreth orës 01.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Flamur Dyla, , lindur dhe banues në lagjen Nr. 4 në qytetin e Krujës. Sipas tyre, prangosja e 41-vjeçarit Dyla u bë për arsye se dyshohet se ky shtetas, teksa ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij, ka qëlluar në ajër me armë zjarri. Kaq ka mjaftuar dhe forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje, duke prangosur kryefamiljarin. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Ornela Cako bën ë të ditur se materialet procedurale për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake” dhe “prishjes së qetësisë publike” iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Krujës.
I grabisin celularin plazhistit, përfundojnë në pranga
DURRËS – Dy të rinj kanë tentuar të grabisin me dhunë një pushues në plazhin e Durrësit, duke i marrë një celular, por ndërhyrja e policisë në kohë, ka sjellë ndalimin e tyre. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se në orët e para të ditës së diel u bë arrestimi ne flagrance i shtetasve Alban Ismaili dhe Ilir Shala, që të dy lindur dhe banues në fshatin Katundi i Ri në rrethin e Durrësit. Të dy të rinjtë dyshohet se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, me date 12 korrik, rreth orës 16.00, në vendin e quajtur “Plazhi” në Sektor Rinia, i kane vjedhur me dhunë një aparat telefoni celular së bashku me kartën shtetasit B.M.,edhe ku me banim në të njëjtin fshat me dy personat e prangosur. Burimet policore shprehen se materialet procedurale për veprën penale të “vjedhjes me dhune” nga shtetasit Alban Ismaili dhe Ilir Shala iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.
Vapa, ulet numri i operacioneve në spital
ELBASAN - Në spitalin e Elbasanit po kryhen normalisht ndërhyrjet kirurgjikale emergjente, ndërsa është ulur numri i operacioneve të planifikuara për shkak të temperaturave të larta. Pacientët në të shumtën e rasteve e kanë shtyrë vetë ndërhyrjen kirurgjikale për në muajt shtator – tetor. Por gjithsesi bëhet fjalë për ato pacientë të cilët nuk përbëjnë rrezik për jetën. Ndërsa në rastet kur pacienti vjen në gjendje të rëndë atëherë i nënshtrohet menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale. Në spitalin kirurgjik të Elbasanit, në vit kryhen rreth 2400 ndërhyrje kirurgjikale.
Dhuna, 45-vjeçarja denoncon bashkëshortin
DURRËS – Një 45 vjeçare ka vendosur për ti dhënë fund konflikteve me bashkëshortin, duke e denoncuar për ushtrim dhune. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ditën e diel, shtetasja B.K., lindur në Korçë dhe banuese në lagjen Nr. 15 në qytetin bregdetar, ka bërë një kallëzim pranë Seksionit për Mbrojtjen e të Miturve dhe Dhunës në Familje. Ajo pretendon se po ditën e diel shtetasi Kudert Kanto, i cili është bashkëshorti i saj, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike mbi të. Sipas zëdhënëses së policisë, “u kryen veprimet e para hetimore; u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe materialet procedurale iu kaluan për ndjekje Gjykatës së Durrësit”.
15 Korrik 2008