E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin nesër nga europianët negociatat për krizën politike

Oert Bylykbashi nga PD dhe Damian Gjiknuri nga PS, negociatorë kryesorë

Përfaqësues të Parlamentit dhe Komisionit Europian pritet të vijnë nesër në Tiranë për të nisur negociatat mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për gjetjen e një marrëveshjeje për tejkalimin e krizës politike në vend. Përfaqësuesit pritet të qëndrojnë në Shqipëri deri në mesin e muajit qershor, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që PD dhe PS do ta miratojnë për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Burimet bëjnë të ditur se përfaqësuesit e Parlamentit Europian do të jenë anëtarë të dy grupeve kryesore parlamentare, të Partive Popullore dhe atyre Socialiste. Nga ana tjetër, në këto negociata, palët politike shqiptare do të përfaqësohen nga ekspertë për çështjet zgjedhore. Partia Demokratike do të përfaqësohet në këto negociata nga shefi i kabinetit të Kryeministrit Berisha, Oert Bylykbashi, i cili ka qenë edhe bashkëhartuesi demokrat i Kodit Zgjedhor. Bylykbashi shoqëroi edhe Kryeministrin Berisha në takimin në Strasburgut, ku u diskutua mbi katër orë mbi këtë çështje. Nga ana tjetër si negociator kryesor i Partisë Socialiste, pritet të jetë deputeti Damian Gjiknuri. Negociatat, me rekomandim të krerëve më të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Europian, pritet t’i japin fund edhe krizës politike që prej muajsh po mban të ndara palët politike. Në rast të një marrëveshje mes palëve, atëherë ajo pritet të nënshkruhet nga Kryeministri Berisha dhe kreu i PS-së, Edi Rama në Shqipëri, me praninë e ambasadorëve të organizmave ndërkombëtarë në Shqipëri. Por axhenda e bisedimeve mund të ndryshojë nga momenti në moment, për shkak të rëndësisë së madhe që kanë këto negociata dhe presionit të fortë të ndërkombëtarëve për kryerjen e tyre. Në rast se palët, edhe pas dy javësh negociatash, nuk do të gjejnë zgjidhje për krizën politike, atëherë pritet që situata me ndërkombëtarët të rëndohet së tepërmi dhe nuk përjashtohet mundësia e një tjetër udhëtimi të detyruar të krerëve më të lartë në vend në selitë europiane.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›