Aksident në Kurbin, vdesin dy të rinj
Përgjaken në fundjavë akset nacionale. Dy të rinj kanë gjetur vdekjen pas një aksidenti automobilistik, që ka ndodhur në rrugën nacionale Laç-Patok. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit mësohet se aksidenti ka ndodhur në orën 16:30 të së shtunës, kur dy të rinjtë Alban Zajsi, 17 vjeç, dhe Sajmir Turja, 20 vjeç, po udhëtonin me një motor dhe janë përplasur me një kamion. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend 20-vjeçari Sajmir Turja. Ndërsa shoqëruesi i tij, Alban Zajsi, është dërguar në spitalin e Laçit e më pas në drejtim të Spitalit Ushtarak në Tiranë. Por gjatë rrugës, ai ka humbur jetën, për shkak të plagëve që kishte marrë. Të njëjtat burime shprehen se Zajsi është edhe nipi i Pal Dajçit, aktualisht prefekt i Qarkut të Lezhës. Pas aksidentit, Policia e Kurbinit ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke marrë në pyetje drejtuesin e kamionit. Policia ka kryer ekspertizën e vendit të ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes rrugore, ku humbën jetën dy të rinjtë.
#