E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI, në Meshën e Korpit të Krishtit: Në Eukaristi, rruga për përtëritjen e botës

25-06-2011 / Gazeta 55

Eukaristia e bën njeriun një gjë e vetme me Jezusin e, mbi gjurmët e Krishtit, e shndërron në dhuratë për të tjerët, në mjet, për unitetin e familjes njerëzore. Këtë theksoi Papa në homelinë e Meshës, kremtuar për Solemnitetin e Corpus Domini, të cilën e kryesoi mbrëmë, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Pas kremtimit, i priu procesionit eukaristik deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Në përfundim, kur mbi Qytetin e Amshuar binte nata blu e ditës së dytë më të gjatë të vitit, u dha të gjithëve Bekimin Eukaristik. “Në Eukaristi ndodh shndërrimi i dhuratave të kësaj toke – bukës e verës – që e shndërrojnë, pastaj edhe jetën tonë, për të përuruar shndërrimin e botës”. Në solemnitetin e Korpit të Krishtit, Papa i ftoi të gjithë të meditojnë për misterin e Krishtit, që dhuron vetveten mbi Kryq, duke e shpëtuar botën e duke i treguar rrugën e shëlbimit. Një ngjarje, kjo e Kalvarit – shpjegoi Benedikti XVI në homeli – që Zoti e përshpejton dhe e përsërit në themelimin e Eukaristisë, në të cilën buka e thyer e vera e hedhur në kelk, bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit, udha për bashkimin me Të e shtegu i vetëm i shpëtimit: “Gjithçka niset nga Zemra e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame, një natë para mundimeve, e falënderoi dhe e lumnoi Zotin e, duke bërë kështu, me pushtetin e dashurisë së tij, e shndërroi kuptimin e vdekjes, që e priste”.
Për dashuri – vërejti Benedikti XVI – Krishti i pranoi vullnetarisht mundimet, me të gjithë tmerrin e dhunën e tyre, deri në vdekje. Deri në kryq. Duke e pranuar në këtë mënyrë, e shndërroi kryqin në akt dhurimi: “E ky është shndërrimi, për të cilin ka nevojë bota, sepse ia shëlbon shpirtin, i hap përmasat e Mbretërisë së Qiellit. Por këtë përtëritje të botës, Zoti dëshiron ta realizojë gjithnjë përmes së njëjtës udhë, në të cilën eci Jezusi, asaj udhe, që është Ai vetë”.
Prandaj Zoti i dorëzon botës dhuratën e Eukaristisë, për t’i krijuar të gjithë njerëzve mundësinë e çlirimit nga mëkati e për t’i dhënë dhuratën e shëlbimit. Krishterimi nuk njeh udhë të shkurtra – theksoi Papa – gjithçka kalon përmes logjikës së përvuajtur e durimtare të kokrrës së grurit, që copëtohet, për të dhënë jetë; logjikës së fesë, që luan nga vendi malet me forcën e Zemrës së butë e të përvujtë të Zotit: “Prandaj Zoti dëshiron të vijojë ta përtërijë njerëzimin, historinë e kozmosin, përmes këtij zinxhiri shndërrimesh, Sakramenti i të cilave është Eukaristia. Me anën e bukës e të verës së shuguruar, në të cilat është realisht i pranishëm Korpi e Gjaku i Tij, Krishti na shndërron, na bën një gjë të vetme me vetveten, na përfshin në veprën e tij të shëlbimit, duke na bërë të aftë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, të jetojmë sipas së njëjtës logjikë të dhurimit, si kokrra e grurit, të shkrirë me Të e në Të. Kështu mbillen e piqen, në brazdat e historisë, bashkimi e paqja, cak drejt të cilit shkojmë, sipas planit të Zotit”.
Për ta bërë më të kuptueshme dinamikën e bashkimit eukaristik, Papa citoi një fragment nga vepra e Shën Agostinit: “Shën Agostini na ndihmon ta kuptojmë dinamikën e bashkimit eukaristik, kur kujton një lloj vegimi, që pat, në të cilin Jezusi i tha: ‘Unë jam shujta e të fortëve! Rritu, e do të të ushqej! Ti nuk do të më shndërrosh mua në ty, si ushqim të trupit, por do të shndërrohesh ti vetë në Mua! Kështu, pra, ndërsa ushqimi, që marrim çdo ditë, asimilohet nga organizmi ynë dhe i jep jetë, në rastin e Eukaristisë, është fjala për një tjetër lloj buke: nuk jemi ne, që e asimilojmë atë, por është ajo, që na asimilon ne, kështuqë bëhemi një me Jezu Krishtin, gjymtyrë të Korpit të Tij, një gjë e vetme me Të”.
Kur marrim Kungimin – vijoi Ati i Shenjtë - Krishti na shndrron në vetveten. Në këtë takim, ne bëhemi plotësisht të Tijtë, çlirohemi nga adhurimi për vetveten tonë të vogël e shkrihemi në Vetjen e Jezusit. Kështu Eukaristia, ndërsa na bashkon me Krishtin, na i hap zemrat për të pranuar edhe të tjerët, deri në atë pikë, sa të mos jemi më të ndarë, por një gjë e vetme në Të: “Kush e pranon Jezu Krishtin në Hosten Shenjte, e pranon në vllain, që vuan, që ka uri, etje, që është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur; e është i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, që impenjohet, në mënyrë konkrete, për të gjithë nevojtarët. Nga dhurata e dashurisë së Krishtit, buron përgjegjësia jonë e posaçme e krishterë për ndërtimin e një shoqërie solidare, të drejtë, vëllazërore. Posaçërisht në kohën tonë, kur globalizimi na bën gjithnjë më të varur nga njëri-tjetri, Krishtërimi mund e duhet të veprojë në mënyrë që ky bashkim të mos ndërtohet pa Zotin, domethënë, pa Dashurinë e vërtetë”. Ungjilli – ripohoi Benedikti XVI – synon gjithnjë të krijojë unitetin e familjes njerëzore, duke u nisur nga ndjesia e përgjegjësisë për njëri-tjetrin, sepse Sakramenti i Elterit, që e ndajmë së bashku, na mësoi e vijon të na mësojë, se dashuria është rruga e vërtetë e drejtësisë dhe e paqes.
Kalendari - Lindja e Shën Gjon Pagëzorit, dëshmitar i Krishtit, profet e martir/Kisha Katolike përkujton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit, profetit të fundit të Besëlidhjes së Vjetër e apostullit të parë të Jezu Krishtit. Kujtojmë se ai quhet “Pagëzuesi” pikërisht sepse pagëzonte me zhytjen në lumin Jordan, të gjithë ata që pendoheshin për mëkatet e bëra e dëshironin të fillonin një jetë të re në Zotin. Është shenjti i vetëm, të cilit sëbashku me Shën Marinë, liturgjia i kujton edhe lindjen, përveç vdekjes. Përkushtimi ndaj tij është përhapur jashtëzakonisht si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në Ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë. Ungjilltarët e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia e sotme për Shën Gjon Pagëzorin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzori”.
Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhëzat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit, “Gjon Pagëzori nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”. Shën Gjon Pagëzori qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit e atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e tregoi të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e njerëzimit që merr falë e shlyen mëkatet e botës dhe nga populli kërkonte përgatitje shpirtërore për ta përgatitur e pranuar Mesinë me fe. Për këtë Gjoni predikoi pagëzimin e pendesës e të kthimit të njerëzve tek Hyji.
Shën Gjon Pagëzori është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë (së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet si lindja, ashtu edhe vdekja), por gjithsesi ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Isenhaim-it, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grunevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516, e vendosi Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit, me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.
Ndërsa piktori i famshëm italian, Karavaxho, me porosinë e Kalorësve të Maltës, që e kanë zgjedhur Shenjtin si pajtor, realizoi kompozimin e njohur në mbarë botën, ‘Kokëprerja e Shën Gjonit’.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›