E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin protestat për emrat e lënë jashtë listës së PD

Nga Tema

Demokratët kanë nisur të shprehin pakënaqësitë e tyre në lidhje me listat që janë përgatitur nga ana e kryeministrit, Sali Berisha. Jashtë tyre janë lënë emra të njohur të Partisë Demokratike si Preç Zogaj, Aleksandër Biberaj e Besnik Mustafaj. Gjithashtu jashtë grupit është lënë dhe një pjesë e konsiderueshme e deputetëve që konsideroheshin si mbështetës të presidentit, Bamir Topi.

Një prej tyre, Sami Gjergji, ishte në listën e Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, por emri i tij ndodhej në fund të listës, çka ka bërë që ai të japë dorëheqjen nga lista.

Por nuk janë mjaftuar me kaq demokratët e zonës së Gjergjit. Votuesit e Sukthit, që njihet si një zonë që voton kryesisht për të djathtën, janë grumbulluar para selisë së Partisë Demokratike dhe kanë protestuar duke kërkuar që Sami Gjergji të jetë ndër emrat e parë në listën e Partisë Demokratike për qytetin e Durrësit. Në rast të kundërt, ata deklarojnë se do bojkotojnë zgjedhjet.

Një fenomen i tillë duket shqetësues, edhe pse nuk pranohet publikisht. Megjithatë, një nga zërat kompetentë të së djathtës, presidenti i nderit të Partisë Republikane, Sabri Godo, ka deklaruar se kjo krisje dhe përjashtimi i emrave të njohur të PD, do i sjellë probleme asaj gjatë votimit.

Në pritje të qëndrimeve të grupit të lënë jashtë listës janë parti të tjera të djathta si PDK dhe LZHK, që janë pjesë e koalicionit “Poli i Lirisë”. Kryetari i PDK, Nard Ndoka, thotë se ai është i gatshëm që të pranojë emrat e larguar, madje iu bën thirrje që të jenë pjesë e listave të tyre. Ndoka thotë se ata duhet të jenë pjesë e një koalicioni që do fitojë dhe do krijojë një tjetër situatë në parlamentin e ardhshëm. Vetë Ndoka kandidoi katër vite më parë në siglën e Partisë Demokratike.

Duket se edhe afati i ri i vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë një mundësi e mirë për të larguarit nga PD që të zënë vend në listat e partive të tjera.

Preç Zogaj, një nga emrat e njohur të PD, tashmë është bashkuar me Partinë Ligj dhe Drejtësi të Spartak Ngjelës. Zogaj ishte caktuar në listën e qarkut të Shkodrës në një vend të pasigurt dhe deklaroi se do largohet nga PD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›