PS akuzon KQZ si të politizuar, paralajmëron mosnjohje të zgjedhjeve
Partia Socialiste kërcënon me mosnjohje zgjedhjesh, në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëhet palë me PD në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Socialistët pretendojnë se Partia Demokratike nuk ka zbatuar Kodin Elektoral në procesin e dorëzimit të listës së kandidatëve për deputetë dhe kjo shkelje është mbuluar nga KQZ. Nënsekretari Socialist për Çështjet Ligjore, Damian Gjiknuri, tha dje se KQZ është thellësisht e politizuar dhe e orientuar politikisht, në funksion të interesave politike të qeverisë Berisha. Sipas Gjiknurit, lista e PD e dorëzuar në KQZ është thjesht listë emrash, e pashoqëruar me asnjë dokumentacion, siç e kërkon ligji. Ai tha dje se Berisha, Topalli dhe Patozi vetëm dje kanë dorëzuar deklaratën e kandidimit, ndërkohë që pjesa më e madhe listës akoma nuk ka dokumentet përkatëse. Duke akuzuar KQZ si palë në këtë shkelje, Gjiknuri tha dje se, përveç shkeljeve me listën e PD, KQZ po miraton listat e partive aleate të PD pa plotësuar kriterin e barazisë gjinore.
“Në KQZ po zhvillohet një farsë procedurale e ligjore, ku kandidatët e PD po deklarojnë moskandidimin e tyre dhe ku administrata e KQZ po bëhet palë në ndryshime antiligjore në këto lista. Akoma më keq, duke mbyllur sytë përpara përcaktimeve të ligjit, listat e partive aleate të PD po miratohen pa respektuar kriterin ligjor të kuotës gjinore, duke hedhur në kosh atë standard që u arrit në Kodin Zgjedhor. Ironia më e madhe qëndron në faktin që organi i vetëm që garanton këto standarde, po bëhet pjesë e injorimit të tyre duke u frymëzuar thjesht nga zelli politik dhe kalkulimet tinëzare elektorale të PD. Një listë kandidatësh që nuk përmbush kriteret ligjore, është një listë e pavlefshme dhe ne do ta kundërshtojmë këtë me të gjitha mënyrat e ligjshme. Nëse PD bërtet gjithë ditën për emancipim shoqëror dhe shtet të së drejtës, të paktën ta tregojë këtë me listat për deputetë”, - tha Gjiknuri.
“I bëjmë thirrje KQZ të rishikojë sjelljen e saj institucionale e të udhëhiqet vetëm nga ligji, përndryshe do të bëhet bashkëpunëtore në krimin që po përgatitet ndaj zgjedhjeve të lira. Partia Socialiste nuk mund të njohë një palë zgjedhje, ku “arbitri” kthehet në “xhelat”. Frymëzimi i ethshëm politik po shtyn KQZ të marrë vendime tërësisht në kundërshtim me ligjin duke caktuar vende të numërimit të votave në lokale private e duke shmangur kërkesën e pashmangshme të Kodit që VNV të caktohen vetëm në objekte publike. Rasti më flagrant është rasti i Paskuqanit, ku me arrogancë politike KQZ e vendos VNV në një objekt privat, thjesht dhe vetëm se këtë ia kërkon përfaqësuesi i PD. Ky veprim është një sinjal i qartë paralajmërues se PD po përgatitet për manipulim dhe se KQZ thjesht do të bëjë “sehir”, - tha Gjiknuri.
Reagimi i PD
Për akuzat që PS i adresoi dje KQZ dhe mazhorancës demokrate lidhur me shkeljet në plotësimin e dokumentacionit të listës së PD dhe aleatëve të saj, reagoi zëdhënësja e PD, Erla Mëhilli. Ajo tha dje se Rama dhe Partia Socialiste po hedhin akuza të pabazuara. Zëdhënësja e PD tha se PD ka kryer brenda të gjitha procedurave ligjore paraqitjen e listës së kandidatëve për deputet të saj pranë KQZ. “PD hedh poshtë akuzat e PS se listat nuk përmbushin kriteret ligjore. PD po procedon sipas ligjit dhe Kodit Elektoral. Sot Edi Rama, i cili për vete ia mbathi nga lista e Partisë Socialiste dhe që ka krijuar një listë me gramafona dhe leje ndërtimi, pati dhe kurajën të sulmojë listat e Partisë Demokratike. Ai që theu ligjin dhe Kodin Elektoral në dorëzimin e listave është z. Rama, të cilin xhaketat e vjetra, por dhe gramafonat e rinj nuk e lejuan ta dorëzonte atë pa vendosur veten në krye të saj. Përpjekjet që vazhduan gjithë natën, përfunduan me një listë pa kokë, me një listë, e cila është unike në historinë e pluralizmit të Shqipërisë dhe Evropës, për shkak se për herë të parë një kryetar partie që pretendon të udhëheqë fushatën elektorale refuzon në mënyrë kategorike të vendosë emrin e tij në listë duke firmosur kështu kapitullimin, para se të nisë beteja. Partia Demokratike hedh poshtë pretendimet dhe trillimet e Ramës si të pavërteta dhe deklaron se po procedon çdo gjë në përputhje të plotë me Ligjin dhe Kodin Elektoral” - tha zëdhënësja e PD.