“Gërdeci”, ndahet në dy pjesë dosja, Mediu do gjykohet më vete
Gjykata e Lartë ka vendosur dje që të ndajë në dy pjesë dosjen hetimore me 29 të pandehurit si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Sipas vendimit të djeshëm, i vetmi person që do të gjykohet në këtë gjykatë është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndërsa 28 të pandehurit e tjerë do të gjykohen nga ana e Gjykatës së Tiranës. Vendimi i Gjykatës së Lartë është argumentuar me faktin se nga të pandehurit, i vetmi person me imuniteti është Mediu, ndërsa 28 të tjerët, duke qenë se nuk gëzojnë imunitet, sipas gjykatës, duhet të gjykohen nga një gjykatë e shkallës më të ulët. Sakaq, Gjykata e Lartë ka rrëzuar edhe padinë civile të familjarëve të viktimave të Gërdecit ndaj Kryeministrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duke u shprehur se dhe ajo duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës.
Ndarja e dosjes
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të gjykohet veçmas 28 të pandehurve të tjerë për tragjedinë e Gërdecit. Kjo, pas vendimit të djeshëm të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, e cila e ndau dosjen në dy pjesë. Ishte kërkesa e 19 prej të pandehurve të kësaj dosjeje, të cilët kërkuan në fillim të seancës së djeshme gjyqësore veçimin e dosjes së tyre dhe gjykimin në një gjykatë të shkallës më të ulët. Kërkesa e tyre është bazuar në faktin se ata nuk janë persona me imunitet dhe për këtë arsye nuk mund të gjykohen nga Gjykata e Lartë. Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për të dhënë vendimin për këtë kërkesë. Pasi janë konsultuar me njëri-tjetrin, gjyqtarët e Kolegjit Penal kanë vendosur që ta ndajnë dosjen në dy pjesë dhe i vetmi që do të gjykohet prej tyre tashmë është vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kështu, me vendimin e djeshëm, 28 të pandehurit e tjerë që akuzohen si përgjegjës për shpërthimin në Gërdec, do të gjykohen nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet. Tashmë pritet që dosja ndaj këtyre të fundit të transferohet në gjykatën e kryeqytetit, si dhe të hidhet shorti për të caktuar për të caktuar gjyqtarët që do të shqyrtojnë këtë dosje. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë për ndarjen e dosjes u argumentua me faktin se nga 29 të pandehurit, vetëm Fatmir Mediu gëzon imunitet. Duke qenë kështu, vetëm ky i fundit mund të gjykohet në këtë gjykatë, ndërsa 28 të pandehurit e tjerë duhet të gjykohen nga nja gjykatë e shkallës më të ulët, dhe pikërisht nga gjykata e kryeqytetit. Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka rrëzuar dhe padinë civile të banorëve dhe familjarëve të viktimave të Gërdecit ndaj Kryeministrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas Kolegjit Penal, shqyrtimi i kërkesës për dëmshpërblim nga ana e këtyre të fundit i takon Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet dhe jo Gjykatës së Lartë. Në padinë e tyre familjarët e viktimave në Gërdec kërkojnë dëmshpërblim për çdo viktimë, në shifrën e 20 milionëve lekë. Familjarët e viktimave, përveç Kryeministrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, kanë paditur edhe kompaninë shtetërore MEICO, kompaninë “AlbaDemil”, ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe dy prej të akuzuarve kryesorë si përgjegjës për tragjedinë, Mihal Delijorgjin dhe Ylli Pinarin.
Konflikti i interesit
Një seancë më parë, prokuroria kërkoi përjashtimin e kreut të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Besnik Imeraj, i cili tashmë do të ketë në dorë vetëm gjykimin e dosjes së Fatmir Mediut. Sipas prokurorisë, Imeraj është mik i ngushtë i avokatëve të Mediut, çka mund të ndikojë në njëanshmërinë e tij gjatë procesit gjyqësor. Në fakt, prokuroria kërkoi përjashtimin e tij një seancë më parë, pasi vajza e tij, Marsela Imeraj, punon në studion e avokatisë “Hajdari & Haxhiaj”, e cila ka marrë në mbrojtje Mihal Delijorgjin, në procesin ku ai ndodhet si i akuzuari kryesor për tragjedinë. Kjo e fundit ka qenë përfaqësues e Delijorgjit që prej momentit të arrestimit të tij. Në një autorizim të firmosur nga Delijorgji pas ngjarjes së Gërdecit, thuhet se ai autorizon tri juristë të studios “Hajdari & Haxhiaj”, për përfaqësimin e kompanisë dhe interesave financiare në mungesë të tij. Mes juristeve të autorizuara nga Delijorgji ndodhet edhe Marsela Imeraj. Por, përveç kësaj, prokuroria tha se rezulton që dokumentacioni, mbi të cilin janë themeluar kompanitë e Mihal Delijorgjit dhe në veçanti firma “AlbaDemil”, është hartuar nga studioja ligjore “Haxhia & Hajdari”, ku punon dhe vajza e anëtarit të Gjykatës së Lartë, njëherësh dhe pjesëtar i Kolegjit Penal të çështjes “Gërdeci”, Besnik Imeraj. Edhe pse rasti në fjalë parashikohet nga neni 17 i Kodit të Procedurës Penale si papajtueshmëri në gjykim, Imeraj nuk është tërhequr nga gjykimi i dosjes. Kështu, ky nen thotë se, gjyqtari ka për detyrë të heqë dorë nga gjykimi i çështjes konkrete: Kur ka interes në procedim, ose kur një nga palët private, ose një mbrojtës është debitor a kreditor ndaj tij, bashkëshortit ose i fëmijëve të tij; kur është kujdestar, përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit ose njërës nga palët private, ose kur mbrojtësi a përfaqësuesi i njërës prej këtyre palëve është gjini e afërt e tij ose e bashkëshortit të tij. Pra, sipas këtij neni, gjyqtari Besnik Imeraj, menjëherë sapo u zgjodh për të qenë në Kolegjin Penal për shqyrtimin e dosjes së Gërdecit, duhet të ishte tërhequr nga gjykimi i saj. Duke qenë se kjo gjë nuk ka ndodhur, ka qenë organi i akuzës që e ka kërkuar. Megjithatë, kolegji i gjyqtarëve që kryesohej nga kreu i Gjykatës së Lartë, e ka cilësuar kërkesën e prokurorisë si të pabazuar në ligj, edhe pse neni 17 tregon qartë të kundërtën.
Të pandehurit
Në bankën e të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit gjenden 29 persona, nga të cilët, 28 prej tyre do të gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të gjykohet nga Gjykata e Lartë. Katër prej të pandehurve po procedohen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Nën këtë masë po gjykohen ish-administratori i firmës “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji, ish-drejtori teknik i punimeve në Gërdec, Dritan Minxolli, ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeci. Ndërsa 25 të pandehurit e tjerë, të gjithë ish ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, po gjykohen në gjendje të lirë. Gjatë ditëve të fundit, mediet kanë publikuar fakte, të cilat, përveç të pandehurve, implikojnë edhe djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha për përfshirjen në trafikun e armëve që bëhej në Gërdec. Tragjedia për të cilën akuzohen 29 personat ka ndodhur një vit më parë, kur si pasojë e shpërthimit të fabrikës në të cilën kryheshin demontimet e municioneve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Nga fuqia shpërthyese u shkatërruan edhe një numër i madh banesash dhe biznesesh, të cilat ndodheshin përreth. Sipas prokurorisë, të 29 të pandehurit ndaj të cilëve rëndojnë akuza të ndryshme, kanë ndikuar me veprimet dhe mosveprimet e tyre në shpërthimin tragjik të kësaj punishteje, që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur.