E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Poli i Lirisë”: Listat e PD dhe PS janë të mbushura me sigurimsa dhe të korruptuar

Nga Tema

Listat e kandidatëve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste janë të mbushura me ish-sigurimsa dhe me njerëz të korruptuar. Kështu deklaroi dje Sekretari Politik i “Polit të Lirisë”, Lazër Stani.

“Publikimi i listave të kandidatëve për deputetë të dy partive të vjetra, PD dhe PS, tregoi edhe njëherë para qytetarëve shqiptarë se këto dy parti kanë dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor, në ndërtimin e institucioneve të pavarura, si dhe në ndërtimin e një administrate publike profesionale, të aftë dhe jopolitike.

Listat e kandidatëve të këtyre dy partive provojnë se ne jetojmë në një sistem politik të korruptuar, në një demokraci jofunksionale, ku ligji, parimet dhe standardet demokratike shkelen me këmbë, sa herë që interesat e pushtetit të njërës apo tjetrës palë e duan këtë. Kandidatët për deputetë të përzgjedhur nga këto dy parti, jo vetëm nuk përfaqësojnë vlerat elitare të shoqërisë shqiptare, kapacitetet e saj qeverisëse dhe reformuese, por tregojnë se këto dy parti janë të paafta të shkëputën nga e shkuara, nga ish-spiunët e policisë sekrete dhe eksponentët e diktaturës, janë të paafta të shkëputën nga aferat e korrupsionit dhe individët e lidhur me to dhe, mbi të gjitha, janë të paafta të shkëputen nga koncepti leninist i partisë-shtet”, - tha Stani.

“Në krye të listave të kandidatëve të PS dhe të PD janë përfshirë drejtues të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, si dhe nëpunësit më të lartë të administratës publike, në kundërshtim të hapur me legjislacionin shqiptar. Përfshirja e këtyre individëve në listat e kandidatëve për deputetë tregon se reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve kanë qenë gjysmake dhe të deformuara, se politika vazhdon të kontrollojë brutalisht institucione të rëndësishme kushtetuese dhe të shoqërisë civile, pavarësia e të cilave është thelbësore për funksionimin e një demokracie”, - vijoi më tej Stani.

Sipas tij, kjo tregon që PD dhe PS kanë dështuar në krijimin e institucioneve të pavarura.

“Partitë politike, pjesëmarrëse në aleancën “Poli i Lirisë”, kërkojnë që të gjithë kandidatët që mbajnë poste në institucionet e pavarura kushtetuese dhe në administratën civile, të respektojnë ligjin dhe të japin dorëheqje të menjëhershme nga postet që mbajnë.

“Poli i Lirisë”, pas zgjedhjeve, nëpërmjet grupit të vet parlamentar do të propozojë një ligj që ndalon zgjedhjen në institucionet e pavarura kushtetuese të të gjithë personave me karrierë politike për një periudhë pesëvjeçare”, - tha Sekretari Politik i “Polit të Lirisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›