E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shansi i Berishës për “Duart e Pastra”

Nga Mero Baze

Kryeministri, Sali Berisha, iu referua dje sërish sloganit të “Duarve të Pastra”. Nostalgjia për zgjedhjet e 2005, dhe rrënimi i mitit të tij si politikan i pakorruptuar duket se dominuan fjalimin patetik, bezdinë e sallës së tejmbushur me duartrokitës, dhe mbi të gjitha varfërinë e ideve që shoqëroi gjithë konventën. I vetmi bilanc i qartë i katër viteve të qeverisjes së tij si kryeministër është përmbysja e opinionit publik lidhur me perceptimin se Berisha ishte një politikan i pakorruptuar. Tashmë nuk ke nevojë të bësh më sondazhe, por mund të pyesësh kudo, në TV, në rrugë, në shtëpi, në punë, gjithkund që gjen një shqiptar dhe ke dy lloj përgjigjesh: Njerëzit e paangazhuar ose ata që mbështesin opozitën, ta thonë menjëherë se Sali Berisha ka thyer rekorde korrupsioni, kurse mbështetësit e tij të thonë: “Vjedh, por ama punon, se ka bërë rrugë”. Nga të dy kategoritë askush nuk thotë që nuk vjedh më. Të vetmit që e arsyetojnë, e arsyetojnë me idenë se nuk vjedh duke ndenjur, por duke punuar.

Ky bilanc i përmbysur i tij për “Duart e Pastra” natyrisht ka pasur kulmimet e veta, me përfshirjen e djalit të tij në lobimin e kontratës së Gërdecit dhe natyrisht me praninë formale ose informale të vajzës së tij në çdo leje apo koncesion të dhënë në Shqipëri për hidrocentrale, termocentrale, parqe energjitike etj. Një Shqipëri, zhvillimi ekonomik i së cilës kalon në filtrat e familjes Berisha, natyrisht e ka të vështirë të kuptojë tashmë përpjekjen për ta rigënjyer me sloganin e “Duarve të Pastra”.

Për ta ripërdorur këtë slogan Berisha ka pasur vetëm një shans, të cilin dhe atë po e djeg. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, dhe madje unë kam qenë nga të fundit që e arsyetoja vitin e parë të pushtetit të tij, se ato që nisi të bënte djali që shëtiste me çanta në dorë biznesmen më biznesmen, apo vajza që porosiste me radhë ata që donin të mos kishin telashe me këtë shtet, ishin veprime pa leje të tij. Si unë mendonin dhe shumë të tjerë, kur djali rekomandonte njerëz të inkriminuar të futeshin në polici, apo vajza shokë të klasës së vet për të kapur postet kyçe në ekonomi dhe drejtësi.

Kur skandalet shpërthyen dhe gjurmët e djalit dhe vajzës së tij nuk fshihen dot më as nga sytë e publikut, Sali Berisha kishte një shans të madh të provonte se duart e tij nuk ishin bërë ende pis, edhe pse shtëpia e vet kutërbonte korrupsion. Ai mund të ngrihej në Kuvend dhe t’i thoshte prokurorisë pas 15 marsit se, nëse dilte qoftë dhe një gjurmë e vogël e djalit të tij në Gërdec, ai do të donte ta shikonte atë para drejtësisë. Por ai, jo vetëm që nuk e bëri këtë, por, sapo dikush i përmendi bizneset e djalit dhe ortakun e tij, Selmanllari, i tha “ta bëj fytyrën të zezë si këpuca” dhe e kërcënoi me vdekje. Mesazhi që ai i dha drejtësisë ishte se, kush prek djalin, ka punë me të.

Ai po ashtu doli publikisht dhe tha se vajza e tij nuk ka asnjë klient që ka lidhje me paratë publike apo pushtetin e babait. Në të vërtetë, klientët e vajzës së tij po marrin tenderë rrugësh, tenderë në KESH, celularin e katërt, dhe vajza e tij adreson te klientët e saj fatura që kërkojnë 3 për qind të investimit, nëse babai i saj i jep firmën, dhe ky 3 përqindësh shpesh shkon 30 milionë euro. Sali Berisha ka patur shansin të dalë publikisht, kur janë botuar këto fakte dhe të thotë që vajza e tij e ka mashtruar, por s’e ka bërë këtë.

Sali Berisha ka njoftuar i pari më 15 mars se një nga tri viktimat e Gërdecit, të sapo-identifikuara, quhet Mehmet Hoxha. Në të vërtetë ai quhej Muhamet Hoxha dhe ishte baxhanaku i tij. E ka patur ende dilemë, nëse duhet të bënte sikur s’e njihte apo duhet të bënte sikur s’ia kishte parë emrin. Kjo mëdyshje e njeriut që ka vendosur të gënjejë për një histori korrupsioni familjare e futi në spiralen e kompleksit ndaj tragjedisë së Gërdecit dhe e bëri krejt të pabesueshëm, sidomos kur doli gruaja e tij dhe tha se “nuk i treguam Berishës as që kishte baxhanak dhe as që punonte në Gërdec”. Dhe ky fakt për një familje aq solide si ajo e Berishës bëhet dhe më i pabesueshëm duke të forcuar idenë e një kryeministri në hall.

Të gjitha këto beteja të humbura personale dhe një bilanc tragjik i kapjes së shtetit nga familja e tij, nga të afërmit e tij, pastaj dhe nga të përdorurit e tij në politikë dhe media, ua kanë mbushur mendjen shqiptarëve se “Duart e Pastra” u bënë pis shumë shpejt, dhe jo vetëm me pará të pista, por dhe me gjak të pafajshëm si në Gërdec. Kjo është qeveria e parë e shtetit shqiptar që nga 1912 që ka vrarë për të vjedhur dhe kjo ka bilancin më tragjik me korrupsionin në raport me çdo qeveri tjetër.

Tashmë është vonë për Sali Berishën t’u rikthehet “Duarve të Pastra”. Ai nuk ka kohë as t’i lajë ato duar që fshihen pas çdo afere korruptive dhe pas çdo kapjeje shteti në këtë vend. Ai ka humbur shansin të vetëpastrohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›