E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është kiameti

Nga Fareed Zakaria

Sigurisht që duket si një tjetër shembull ujku që qan. Pasi u përgatitëm për një epidemi globale, kemi vuajtur me diçka që ngjan më shumë me një grip sezonal. Tri javë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli një emergjencë shëndetësore, duke paralajmëruar shtetet të përgatiten për një pandemi dhe tha se tashmë pyetja ishte vetëm sa i madh do të ishte dëmi në skenën globale. Zyrtarë të lartë parashikuan që miliona njerëz mund të infektohen. Por, deri javën që kaloi, OBSH kishte konfirmuar vetëm 4800 raste gripi derrash, me 61 të vdekur prej tij. Sigurisht, këto shifra të ulëta janë një surprizë e këndshme, por që mua më bëjnë të pyes veten në çfarë gabuam?

Përse parashikimet për një epidemi janë kaq shumë të ekzagjeruara? Disa njerëz ia vënë fajin medies së tejnxehur, por, nga ana tjetër, do të kish qenë e vështirë për medien të injoronte organizata të mëdha të shëndetësisë dhe qeveri të ndryshme që paralajmëronin për katastrofë. Mendoj se ka një gabim më të gjerë në mënyrën se si ne e shohim botën. Sapo shohim një problem, mund ta përshkruajmë në detaje, duke ekstrapoluar të gjithë pasojat e mundshme të tij. Por, ne rrallë mund të parashikojmë reagimin njerëzor ndaj kësaj krize.

Marrim gripin e derrave. Virusi kishte disa tipare të rëndësishëm që i bënë studiuesit të shqetësohen se do të përhapej larg dhe shpejt. Ata përshkruan se çfarë do të ndodhte nëse nuk vihej nën kontroll. Por, ai nuk doli jashtë kontrolli. Në fakt, kundër gripit të derrave pati një reagim shumë të fuqishëm në epiqendrën e tij në Meksikë.

Qeveria meksikane reagoi me shpejtësi dhe masivisht, duke futur në karantinë popullsinë e infektuar, testuar të tjerët dhe ofruar mjekime për ata që kishin nevojë. Ekspertja e njohur në këtë çështje, Laurie Garrett thotë: "Ne të gjithë duhet të ngrihemi dhe të thërrasim: 'Gracias Mexico!' Sepse populli meksikan dhe qeveria meksikane kanë sakrifikuar në një nivel të tillë që unë nuk jam e sigurt që amerikanët do të ishin gati ta bënin në po të njëjtat rrethana. Ata mbyllën shkollat. Mbyllën biznese, restorante, kisha dhe aktivitete sportive. Ata praktikisht paralizuan ekonominë e tyre. Kanë humbur miliarda dollarë që vazhdojnë të shtohen dhe në të vërtetë e ndalën transmetimin e sëmundjes". Sa herë që pikaset ndonjë virus i tillë, gazetarë dhe zyrtarë sjellin menjëherë në vëmendje gripin spanjoll të vitit 1918, si pasojë e të cilit vdiqën miliona vetë. Në të vërtetë, gjatë panikut të fundit të një pandemie, në vitin 2005, presidenti Bush deklaroi se kishte lexuar një histori të gripit spanjoll në përpjekjen për të kuptuar se si të reagojë. Por, bota në të cilën ne jetojmë sot nuk ngjan aspak me atë të vitit 1918.

Sistemet publike të kujdesit shëndetësor janë shumë më të mira dhe të përhapura sesa çdo gjë që ekzistonte gjatë Luftës së Parë Botërore. Edhe Meksika, një vend në zhvillim ka një sistem publik shëndetësor të klasit të parë, shumë më të mirë nga ai që kishin Franca dhe Britania në fillimin e shekullit të njëzetë.

Të njëjtin model gabimesh mund ta vëresh në diskutimet për krizën ekonomike globale. Gjatë gjashtë muajve të fundit, industria e "fundit të botës" është vënë në lëvizje. Ekonomistë dhe komentues po konkurrojnë me njëri-tjetrin për të përshkruar Depresionin e Madh të radhës. Vetëm se bota në të cilën ne jetojmë ka shumë pak ngjashmëri me vitet tridhjetë. Ka më shumë pasuri dhe kjo është më e përhapur në shoqëritë perëndimore, me klasat e mesme që janë në gjendje të përballojnë humbjen e vendeve të punës në mënyra të tilla që në vitet tridhjetë nuk mundnin. Kini parasysh që papunësia në Amerikën jo fermere u rrit në 37 për qind në vitet tridhjetë. Papunësia në SHBA sot është 8.9 për qind. Dhe përfitimet prej qeverisë që ishin joekzistente në vitet tridhjetë luajnë një rol shumë të madh në zbutjen e efekteve të krizës.

Megjithatë, dallimi më i madh mes viteve tridhjetë dhe sot qëndron në reagimin njerëzor. Qeveritë në të gjithë botën kanë reaguar me një shpejtësi dhe masë mbresëlënëse, duke ulur normat e interesit, rikapitalizuar bankat dhe duke parashikuar në buxhet shpenzime të mëdha qeveritare. Në total, të gjitha paketat e ndryshme të stimulit fiskal shkojnë në 2 trilionë dollarë. Bankat qendrore, kryesisht FED në SHBA, kanë hedhur sasi shumë më të mëdha cashi në ekonomi. Ndërkohë që ne debatojmë ngatërresat që sjell çdo lëvizje, realiteti bazë është se qeveritë kanë hedhur praktikisht çdo gjë përveç pjatalarëses së kuzhinës për këtë problem dhe duke marrë parasysh vonesën e pashmangshme kohore, veprimet e tyre kanë nisur të kenë efekt. Kjo nuk do të thotë se do të kemi një rimëkëmbje pa dhimbje apo një kthim pa dhimbje te rritja ekonomike. Por, do të thotë që duhet të braktisim analogjitë me Depresionin e Madh, atëherë kur politikëbërësit, sidomos bankat qendrore, bënë gjithçka gabim.

Ne jetojmë në një botë të rrezikshme. Por, jetojmë gjithashtu në një botë ku forcat e thella strukturore krijojnë stabilitet. Ne kemi mësuar nga historia dhe kemi ndërtuar disa mekanizma efikase për të përballuar krizat. A do të thotë kjo se nuk duhet të na kapë paniku? Po, përveç asaj që është ndjesia e urgjencës që i bën njerëzit të veprojnë, edhe të reagojnë në mënyrë të tepruar, dhe që siguron që kriza nuk shndërrohet në fatkeqësi. Ja paradoksi: Nëse politikëbërësit nuk do të ishin frikësuar prej një tjetër Depresioni të Madh, fare mirë mund të kishim pasur një tjetër të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›