E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nisin punimet për investime në rrugën e re Shkozet – Porto Romano në Durrës

Punimet për rrugën e re Shkozet-Porto Romano, që do të lidhë superstradën Tiranë-Durrës me parkun energjitik në veri të qytetit bregdetar, me 4 korsi dhe gjatësi 8.3 km, një investim i buxhetit të shtetit, kanë realizuar rreth 40 përqind të projektit. Burime zyrtare nga firma ndërtuese SIAC, bënë të ditur se në dy lotet e parë me gjatësi 6.2 km me financimin afro 1.2 miliard lekë punojnë pesë firma ndërtuese, të cilat tashmë kanë shtruar thuajse plotësisht trasenë e rrugës së re. Një pjesë e rrugës me gjërësi 26 metra është gati për shtresën e parë të asfaltit, thanë burimet, sipas të cilave në aksin kryesor të rrugës janë vendosur paralelisht edhe dy ndarëse trafiku prej betoni. Rruga që nis nga mbikalimi i Shkozetit, 3 km larg Durrësit kalon mespërmes ish-kënetës drejt pjesës veriore të qytetit dhe ka vetëm një kryqëzim, atë me rrugën Spitallë-Shën Vlash në gjysmën e gjatësisë së saj, pikërisht aty ku do të ndërtohet edhe një rrethrrotullim për trafikun e automjeteve. Burimet bënë të ditur se në zonën e Shkozetit janë hasur vështirësi për shpronësimin e disa familjeve dhe në 800 metrat e para të rrugës puna ende nuk ka filluar. Sipas projektit, rreth 6.2 kilometrat e para të rrugës Shkozet-Porto Romano pritet të përfundojë në shkurt të vitit 2010 dhe do të jetë në shërbim kryesisht për parkun energjitik të Porto Romanos. Sipas masterplanit, Parku Energjetik përfshin një sipërfaqe prej 810 ha në Porto Romano dhe është miratuar në KRRTRSH. Ai do të ndërtohet në pjesën veriore të qytetit të Durrësit dhe dy të tretat e territorit i përkasin komunës Katund i Ri. Zona kënetore në Porto Romano, me një bonitet të tokës në shkallën 8-9, pra me cilësi shumë të dobëta e bëjnë këtë territor mjaft të përshtatshëm për destinacionin energjetik, ndërsa krijojnë mundësi dhe fronte pune për banorët e zonës. Sipas Masterplanit të përgatitur nga Ministria e Ekonomisë, Parku Energjitik shtrihet 9 km në veri të Durrësit përgjatë bregdetit në një gjatësi rreth 1.1 km, ndërsa në drejtimin lindje-perëndim me gjerësi rreth 2 km. Në territorin prej 810 ha gjithsej, thuajse ka përfunduar puna për ngritjen e kompleksit të depozitimit të naftës dhe nënprodukteve të saj në një sipërfaqe prej 51 ha dhe punohet për terminalin detar të depozitave. Në të njëjtën zonë po ngrihet dhe kompleksi i depozitave të gazit të lëngshëm. Po aty parashikohet ngritja e rafinerive dhe TEC-eve me kapacitet të vogël, që do të furnizojnë me energji elektrike sistemin e brendshëm të Parkut dhe qytetin e Durrësit. Përveç rrugës së re, drejt Porto Romanos parashikohet të ndërtohet një linjë e re hekurudhore. Sipas studimit, segmenti hekurudhor që do të bashkojë rrjetin aktual të Hekurudhave shqiptare (HSH) nga stacioni i Sukthit me parkun energjitik në veri të Durrësit do të ketë një gjatësi prej 11 km dhe për ndërtimin e saj parashikohet vlera prej rreth 2.5 milion euro.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›