E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mungesa e energjisë dhe i ftohti, burgjet po ngrohen me gjeneratorë”

 

TIRANE – I ftohti i ditëve të fundit dhe mungesa e energjisë elektrike në burgje përballohet me energjinë elektrike të gjeneratorëve. Këtë fakt e pohon drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra, i cili thotë se institucionit të tij i ishte dashur të blinte me urgjencë sasi të konsiderueshme karburanti për gjeneratorët, e instaluar nëpër institucione të paraburgimit apo ato të vuajtjes së dënimit. Këta gjeneratorë janë burimi i energjisë elektrike nëpër burgje me të cilën veç ndriçimit, të burgosurit sigurojnë edhe ngrohjen dhe gatimin. Sipas Dibrës, ishte parashikuar ulja e temperaturave në stinën e dimrit, por jo mungesa e theksuar e energjisë elektrike. Dibra pohoi dje se sistematikisht gjatë javëve të mëparshme familjarët u kishin sjellë të burgosurve veshje dhe batanije, si dhe ngrohëse elektrike, ndërsa disa prej të burgosurve u kanë dhënë institucionet ngrohëse dhe batanije. Sipas kreut të burgjeve në këtë mënyrë është zgjidhur problemi i ngrohjes, i cili veç të tjerash paraqet edhe rrezikshmëri përsa i përket sigurisë së jetës së personave që ndodhen në qeli. Sipas Dibrës institucionet e paraburgimit dhe ata të vuajtjes së dënimit kanë marrë masa për të parandaluar tentativat e të burgosurve për vetëvrasje apo krime të tjera, që mund të kryejnë ndaj vetes apo të tjerëve me anë të energjisë elektrike. Sipas tij, është shtuar personeli në regjimin e brendshëm të burgjeve në mënyrë, që kontrollet të jenë më të shpeshta. Ende nuk dihet nëse energjia që prodhojnë gjeneratorët do të furnizojë në mënyrë të pandërprerë burgjet, pasi gjatë dimrit të vitit të kaluar ka pasur mjaft ankesa nga të burgosurit, për mungesë të korrentit në orët e mesditës. Atëherë kjo mungesë justifikohej me ndërprerjen e furnizimit nga KESH, por që institucioneve të burgjeve iu sillte mjaft probleme. Të paktën mesdita është momenti kur nëpër burgje kryhen mjaft veprime me të burgosurit, siç janë ajrimi, ushqimi i drekës dhe ndryshimi i turneve të punonjësve.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›