E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie në pranga italiani për trafikim makinash

 

TIRANE- Prangoset në Rinas italiani me dokumente false, pak kohë pasi kishte hyrë në Shqipëri me një automjet luksoz tepër të shtrenjtë të markës “BMW”, prodhim të vitit 2006. Luçiano Ferroni, rreth 40 vjeç, banues në jug të Italisë, me profesion shofer kamioni, është arrestuar nga policia e Rinasit në kabinat dalëse të pikës së kalimit kufitar. Ai është ndaluar me akuzën e falsifikimit dhe vënies në përdorim të dokumenteve të falsifikuara, si dhe të kalimit të paligjshëm të kufirit. Ndërkaq ai është marrë nën hetim nga policia edhe me dyshimin e trafikimit të mjeteve motorike, pasi ka lënë në Shqipëri, mjetin me të cilin ka hyrë në Shqipëri nga Muriqani. Sipas burimeve të policisë kufitare të kryeqytetit, Ferroni, tentonte dje paradite rreth orës 11:30 të udhëtonte me një kartë identiteti italiane, e cila ishte në emrin e tij. Edhe pse karta e identitetit sipas bluve ishte në emrin e vetë Luçiano Ferranos, ai dyshohet se e kishte falsifikuar dokumentin. Oficerët e policisë kufitare gjatë intervistimit të tij, kanë hedhur dyshime mbi këtë person. Sipas tyre karta nuk kishte elementë sigurie, që vihen re në të gjitha dokumentet e identitetit të kësaj kategorie. Po kështu edhe kodi fiskal i shënuar mbi kartën e identitetit nuk përputhej me numrin e shifrave, në raste të tjera. Tjetër element dyshues për oficerët e pikës së kalimit të kufirit ka qenë edhe ndryshimi i mënyrës së udhëtimit në drejtim të Italisë nga me automjet, me avion. Ai kishte hyrë sipas burimeve me një automjet të markës “BMW” prodhim të vitit 2006 dhe tepër luksoze. Gjatë verifikimit në sistemin TIMS, policia kufitare ka zbuluar se ai kishte hyrë nëpërmjet pikës së kalimit të Muriqanit në Veri të Shqipërisë, në kufi me Malin e Zi. Ndryshimi i mënyrës së rrugës së rikthimit të tij në Itali, ka bërë që ndaj tij të ngriheshin dyshime, për një trafikim të mundshëm të mjeteve motorike nga Italia në drejtim të Shqipërisë. Gjatë intervistimit të tij, Ferroni, nuk është treguar aq i aftë për t’iu përgjigjur kurtheve të pyetjeve të hetuesve. Faktit se pse udhëtonte me avion në drejtim të Italisë, ndërsa kishte mbërritur me një autoveturë mjaft të rehatshme dhe luksoze, ai i është përgjigjur se ia kishte lënë një mikut të tij në Shqipëri. Por kjo nuk ka mjaftuar si argument për hetuesit, ndërsa ata i kanë kërkuar atij, shkakun se përse do ta linte në Shqipëri një mjet tepër të shtrenjtë dhe mjaft luksoz.                         d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›