E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/ministri i Bujqësisë, në gjyq për “fshehje” pasurie

 

Trazhgim Sokolaj

Numri dy i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dërgohet i pandehur në gjykatë me akuzën e “deklarimit të rremë të pasurisë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. Ndue Preka, zv/ministër i Bujqësisë është paditur penalisht nga Prokuroria e Tiranës pas problemeve, që u gjetën në deklaratat e pasurisë së tij gjatë tri viteve të fundit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës, sipas të cilave dosja penale ndaj zv/ministrit të Bujqësisë, me nr. 2253, u regjistrua në gjykim më 13 nëntor 2008 ndërsa sipas shortit, gjyqtari që do ta shqyrtojë atë është Artan Broci. Burimet zyrtare thanë se Prokuroria e Tiranës prej më tepër se një vit ishte duke hetuar mes disa zyrtarëve, që kanë pasur probleme me deklaratat e pasurisë, edhe zv/ministrin e Bujqësisë Ndue Preka. Prokuroria konfirmoi se hetimet ndaj tij, kanë filluar mbi bazën e të dhënave që janë marrë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Ky i fundit kishte bërë një sërë verifikimesh lidhur me deklaratat e pasurisë së zv/ministrit si dhe pronave e aseteve që ai disponon realisht. Pasi janë vënë re mospërputhjet e para, ILDKP, ka vendosur të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Organi i akuzës ka filluar hetimet penale, duke pasur në këtë mënyrë, më tepër mundësi për verifikime të zgjeruara mbi llogaritë bankare, pronat dhe asetet e zv/ministrit Ndue Preka.
Hetimi për zv/ministrin
Prokuroria tha se pas një sërë veprimesh hetimore të kryera në institucionet e tatimeve, bankave dhe zyrave të regjistrimit të Pasurisë, ka arritur të zbulojë në emër të zyrtarit të Ministrisë së Bujqësisë, prona të cilat nuk ishin paraqitur në mënyrë korrekte në deklaratat e pasurisë, që ai ka depozituar në Inspektorat. Prokuroria konfirmoi se verifikimi i imtësishëm i deklaratave të zv/ministrit Ndue Preka, filloi në korrik 2006 kur pas një shorti të hedhur mes qindra zyrtarëve të lartë shtetërorë, Ndue Preka u rendit mes personave, që ushtrojnë funksione publike, të cilëve do t’i kontrollohej në mënyrë të thelluar praktika e deklarimeve të pasurisë dhe vërtetësia e të dhënave që kishte paraqitur. Prokuroria konfirmoi se ka gjetur prova për akuzën e ngritur, megjithatë në kallëzimin e ILDKP-së si dhe në dosjen penale mësohet se anë administruar argumentimet e zv.ministrit Preka, ku ai mohon të ketë parregullsi në deklaratat e pasurisë të bëra prej tij gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave hetimore të cilat prokuroria refuzoi t’i bënte publike plotësisht, në pronësi të zv/ministrit përveç disa shumave financiare është edhe administrimi i një hoteli në Velipojë, të ardhurat nga ky aktivitet si dhe disa troje tokash në Laç. Sipas të dhënave që ndodhen në dosje, Ndue Preka, zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka deklaruar të ardhura 1.7 milionë lekë në vit ndërsa po shlyen kredi prej 26 mijë eurosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›