Biznesi: Paketa fiskale, diskutimi të hënën në Këshillin Konsultativ
Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës bën me dije se të hënën komuniteti i biznesit do të diskutojë në Këshillin Konsultativ të Biznesit paketën e re fiskale. Diskutimet do të fokusohen në ndryshimet në ligjin “Për akcizat” dhe “Për taksat kombëtare”, që përfshin mënyrën e pagesës së taksës doganore për makinat e importuar.
Sipas relacioneve që shoqërojnë këto projektligje, do të ketë ndryshime në taksën e qarkullimit, që do të vilet nëpërmjet çmimit të karburantit. Taksa e re do të jetë fikse për naftën dhe benzinën, në masën 5 lekë për litër deri në fund të këtij viti dhe 7 lekë për litër duke filluar nga 1 Janari 2011. Me synim uljen e barrës fiskale në sektorin e prodhimit të birrës në vend po rishikohet dhe niveli i akcizës. Sipas projektligjit të përgatitur nga Financat, synohet përshpejtimi i procedurës së rimbursimit të akcizës së paguar në blerje.