E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra prezanton në UET studimet kërkimore

Universiteti i Fribourgut dhe Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri prezantuan dje studimet kërkimore në fushën e shkencave sociale. Në një konferencë të mbajtur tek Universiteti Europian i Tiranës nga ora 10:00 deri në 12:45, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe institucioneve kërkimore si dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, Universiteti i Feribourgut dhe Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri (SCO-A) prezantuan rezultatet kyçe të deritanishme të programit të promovimit të studimeve rajonale si dhe njoftuan zgjatjen e projektit deri në vitin 2013. Pesë studiues dhe institucione kërkimore që janë financuar nga programi prezantuan gjetjet dhe metodologjitë e tyre. Projektet kërkimore të prezantuara preknin tema të zhvillimit social, si migrimi i brendshëm, kuotat e gjinisë në politikë dhe të drejtat mbi tokën bujqësore. Prezantimet dhe diskutimet u moderuan nga pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës. “Ky program synon të përdorë kërkimin për qëllime zhvillimi dhe gjithashtu synon të ndërtojë kapacitetet kërkimore në vendet e Ballkanit Perëndimor”, - tha Anne Savary, zv.drejtore e Bashkëpunimit Zviceran. Ndërsa presidentja e Universitetit Europian të Tiranës, Dr. Teuta Dobi, në fjalën e saj të hapjes shprehu mirënjohje që institucioni i saj ishte pritës i kësaj konference dhe preku rëndësinë që ka kërkimi në shkencat sociale për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. “Sot, unë mund të njoftoj përkushtimin tonë për zhvillimin e kërkimit në shkenca sociale, veçanërisht në fushën e publikimeve akademike dhe projekteve të zhvillimit”, - u shpreh Dobi. Programi i Promovimit të Studimeve Rajonale ka financuar projekte kërkimore në shkencat sociale nga studiues dhe institucione kërkimore që nga viti 2008. Ai synon të mbështesë studiues të një brezi të ri si dhe të përdorë kërkimin për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Faza e re do të fillojë në shtator 2011 dhe do të fusë bashkëpunimin rajonal midis vendeve si element kyç. I gjithë financimi i programit bëhet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e përfaqësuar në Shqipëri nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›