E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet Formulari A2 me 289 degë, ja rregullat e plotësimit

SHKRUAN: Jonida Tashi 09-07-2011 11:17

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht Formularin A2, në të cilin maturantët kalues në katër provimet e Maturës do të rendisin preferencat e tyre për studimet e larta. Këtë vit në Formularin A2 janë listuar plot 289 programe të ndryshme studimi, që i përkasin 11 universiteteve publike të vendit. Përveç formularit, MASH ka publikuar edhe 11 rregullat për plotësimin e saktë të tij, që duhet të kihen në konsideratë nga të gjithë maturantët. Për të mos krijuar keqkuptim te maturantët, MASH sqaron se shpërndarja e formularit në shkolla do të bëhet pas datës 20 korrik, pasi të kenë dalë të gjitha rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Sipas afateve të përcaktuara nga MASH, plotësimi i këtij formulari do të nisë më 22 korrik për të përfunduar në datën 30 të po këtij muaji. Për të marrë Formularin A2, maturanti duhet të ketë kryer pagesën prej 2000 lekësh në një bankë të nivelit të dytë dhe të paraqesë faturën e pagesës së kryer.

11 rregullat e plotësimit

1. Ju mund ta fotokopjoni këtë formular për t’u praktikuar, por do të dorëzoni në shkollën tuaj formularin origjinal të plotësuar me preferencat tuaja.

2. Do të zgjidhni jo më shumë se 10 programe studimi, të renditura sipas preferencave tuaja. Në renditjen nga 1 në 10 do të vendosni kodet që përfaqësojnë programet e studimit. Vëmë në dukje se plotësimi i të gjitha preferencave nuk është i domosdoshëm (pra maturanti, nëse dëshiron, mund të plotësojë më pak se 10 preferenca).

3. Në kuadratin pranë dhe majtas programit të studimit, do të vendosni numrin e preferencës.

4. Kodi i programit të studimit i shënuar te tabela e preferencave, duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse. P.sh. nëse në preferencën 1 është shënuar programi i studimit 015, atëherë në kuadratin pranë programit të studimit 015 duhet të shënohet numri 1. Nëse gabohet në këto plotësime, si e vlefshme do të merret kodi i programit të studimit që është shënuar te tabela e preferencave (djathtas lart).

5. Ju do të shpalleni fitues vetëm në një nga programet e studimit që keni zgjedhur sipas parimit Meritë-Preferencë, të shprehur si më poshtë:

a. Parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve

të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe

studimi të caktuara edhe në bazë të rezultateve të konkurseve të pranimit.

b. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre. Pra, maturanti kandidat mund të arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij, por ai shpallet fitues në preferencën më të lartë të këtij grupi. Kujdes në përzgjedhjen e preferencave, por edhe të renditjes së tyre. Gjatë përzgjedhjes së preferencave shihni me kujdes shënimet në kllapa, të cilat tregojnë filialin e universitetit ose kohëzgjatjen e studimeve.

6. Fituesit në një program studimi të zgjedhur prej tyre, përcaktohen në bazë të parimit meritë preferencë brenda numrit të parashikuar të vendeve për atë program studimi (kuotave), të cilat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

7. Të gjitha programet e studimit të Universitetit të Arteve dhe të Universitetit të Sporteve të Tiranës, programet “Arkitekturë (Arkitekt)” dhe “Arkitekturë (Urbanist)” të Universitetit Politeknik të Tiranës, programet “Edukim Fizik dhe Sporte” dhe “Pikturë-Grafikë” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, programi i studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, programet e studimit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, u nënshtrohen konkurseve të pranimit, të organizuar nga këto institucione publike të arsimit të lartë. Konkursi për programet e studimit të FASTIP (Universiteti i Durrësit) zhvillohet për njohuritë në gjuhën angleze.

8. Kujdes, maturantët kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e mësipërme të studimit dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve të pranimit, në preferencat e tyre këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës, se përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin e tyre për t’u shpallur fitues në këto degë.

9. Kujdesuni që nota mesatare e juaj të shkruhet e saktë me shifra dhe me fjalë nga mësuesi juaj kujdestar.

10. Është e detyrueshme që ky formular të plotësohet më poshtë me: emër, mbiemër dhe firmë tuajën; emër, mbiemër dhe firmë të mësuesit kujdestar; emër, mbiemër dhe

firmë të drejtorit të shkollës si dhe vulën e shkollës. Mungesa e njërit prej këtyre elementëve e bën formularin e plotësuar të pavlefshëm.

11. Kujdesuni që formulari të plotësohet saktësisht dhe çdo e dhënë e tij të jetë e konfirmuar nga ju.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›