E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisma e Lëvizjes Çame, krijohet Partia Aleanca Popullore: S`tërhiqemi nga miratimi i rezolutës

Përfaqësimit të komunitetit çam, i shtohet një tjetër parti për mbrojtjen dhe kërkesat e tyre. 71 ditë para 23 Qershorit,  një grupim prej 12 partish, shoqatash dhe grupe të tjera interesi të bashkuara nën drejtimin e Lëvizjes Çame, kanë marrë jetë tashmë në një parti të vetme me emrin “Aleanca Popullore”, me kryetar Artur Dojakën.

Aleanca Popullore është tashmë një parti politike e rregjistruar në KQZ që në thelbin e vet ka mbrojtjen dhe promovimin e Çështjes Kombëtare dhe në veçanti Çështjen Çame.

Gjatë prezantimit të kësaj partie, Aleanca Popullore tha se nuk tërhiqet nga kërkesa për Votim Unanim në Parlamentin e Shqipërisë të Rezolutës për Çështjen Çame, ndërsa nuk ka kursyer akuzat indirekte në drejtim të PDIU për përdorje të çështjes.

“Në një kohë që na ndalojnë në kufi për shkak të vendlindjes, kur nuk gëzojmë dot të drejtën universale të pronës apo kur nuk vendosim një tufë lule në varrin e të parëve tanë kemi gjithë të drejtën legjitime për të ngritur zërin dhe për të kërkuar të drejtën tonë.

Flasim për Çamërinë por nuk mund ta prekim atë.  Folën shumë për Çamërinë por vetëm sa e përdorën atë. Do ti kërkojmë çdo çami që sot e ndjen veten të papërfillur, të papërfaqësuar të bëhet pjesë e jona, do të shkojmë këto ditë te ato anëtarë të komunitetit tonë që nuk i bëri kush pjesë të vendimarrjes dhe i la jashtë çdo benefiti politik e social.

Do të dëgjojmë çdo zë, çdo ankesë, çdo shqiptar që ka sot një ide apo dëshirë” deklaroi PAP.

Aleanca Popullore  theksoi se do të ndërtojë marrëveshje me këdo që në thelbin e përpjekjeve të veta ka Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›