E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtypi anglez, në kor kundër Mejuto Gonzales

LONDER- Pas Karlo Ançelotit, i cili ndoshta për herë të parë komentoi vendimet e dhëna nga arbitri spanjoll Mejuto Gonzales, mediat në Angli janë marrë jo pak me atë penallti të munguar ndaj Salomon Kalu në fundin e pjesës së parë. “Kaloules”, është titulli i The Sun, shoqëruar me një foto të rrëzimit. Ky tabloid, duke përdorur disa fjalë të Ançelotit shkruan se “ishte një penallti neto”. Edhe Times hapet me këtë foto, ndërsa nuk mungojnë komplimentat për Interin e sidomos për Zhoze Murinjon, “i cili po shijon një fitore Speciale”. Daily Star shkruan se portugezi meriton një Oscar për interpretimet dhe gjestet e tij, duke treguar edhe njëherë “prekjen magjike”, siç komenton Stiven Hauard. “Special 2-1”, është titulli i Daily Mail, ndërsa Daily Mirror titullon thjeshtë: “So Special”. Përpos akuzave për penalltinë, të gjithë janë të bindur se goli i shënuar nga Kalu është një shpresë e madhe për ndeshjen e kthimit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›