Skandali “Terri”, Brixh heq dorë nga Botërori
LONDER- Uejn Brixh është bërë pa më të voglin dyshim viktima më e madhe e skandalit seksual mes Xhon Territ dhe Vanesa Perronsel. Mbrojtësi i Mançester Sitit, pasi ka mësuar për tradhtinë e ish-të fejuarës me shokun e tij të ngushtë, ka vendosur të heqë dorë nga ekipi kombëtar dhe të mos marrë pjesë në Botërorin e Afrikës së Jugut. Në një komunikatë për shtyp të publikuar nga avokatët e tij, Brixh bën të ditur arsyet që e çuan në këtë vendim negativ për karrierën e tij. “është një situatë që mund të provokojë ndarje brenda grupit, - ka bërë të ditur ai. - Për fat të keq, për të mirë të skuadrës kombëtare kam vendosur të mos jem pjesë e seleksionit që do të udhëtojë për në Afrikën e Jugut. Jam menduar gjatë për pozicionin tim në kombëtaren angleze, në dritën edhe të atyre që kanë dalë në shtyp javët e fundit. I uroj skuadrës kombëtare më të mirën e mundshme në kampionatin botëror”, shkruan Uejn Brixh. Të shtunën, Terri dhe Brixh do të jenë në fushë kundër njëri-tjetrit në sfidën çelsi-Mançester Siti.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)