E Diel, 1 Nëntor 2026

“Niveli i lartë i bashkëpunimit do të vijojë edhe në të ardhmen”

29-07-2012 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Flamur Noka, takohet me ambasadorin e Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani

Ministri i Brendshëm Flamur Noka, u takua dje me ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani. Ministri Noka i shprehu ambasadorit Gaiani vlerësimet më të larta për bashkëpunimin mes ministrive homologe dhe gjithë strukturave në varësi të tyre, një bashkëpunim i shkëlqyer që ka forcuar maksimalisht edhe frymën e besimit reciprok. “Intensiteti i marrëdhënieve, shtrirja e tyre në të gjithë sektorët, numri shumë i madh i marrëveshjeve dypalëshe, e bëjnë pa dyshim Italinë një vend lider në marrëdhëniet që Shqipëria ka me shtetet e tjera. Lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, gjurmimit dhe asgjësimit të grupeve kriminale, të cilat kanë përfunduar me rezultatet më të mira, janë tregues i qartë i frymës së bashkëpunimit dhe besimit të plotë reciprok”, nënvizoi, ndër të tjera, ministri Noka.
Gjithashtu, Ministri i Brendshëm Flamur Noka përfitoi nga ky takim për të shprehur mirënjohjen e thellë për ndihmën shumëvjeçare të dhënë nga “Guardia di Finanza”, në kuadrin e Protokollit të Mirëkuptimit ndërmjet dy Qeverive, por edhe në fushën e Emergjencave civile.
Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Masimo Gaiani, pasi i uroi suksese në detyrën e Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka i shprehu nga ana e tij, vlerësimin e lartë për frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe besmit të plotë reciprok që ekziston jo vetëm mes dy ministrive respektive, por edhe në të gjitha strukturat në varësi të tyre.
Në përfundim të takimit, si Ministri Noka ashtu dhe ambasadori Gajani shprehën bindjen dhe besimin e plotë se ky nivel i lartë i bashkëpunimit do të vijojë edhe në të ardhmen, madje edhe më intensivisht, në të gjitha fushat dhe sektorët me interes të përbashkët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›