E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një 13-vjeçar pushtoi Mount Everestin

Një djalosh 13-vjeçar nga SHBA-ja u bë sot personi më i ri që ka pushtuar majën e malit Mount Everest, duke thyer kështu rekordin e mëparshëm, të vendosur nga një djalosh 16- vjeçar nga Nepali.

Jordani Romero, nëpërmjet një telefoni satelitor i telefonoi nënës së tij nga maja e malit më të lartë në botë, i cili ka një lartësi prej 8850 metra mbi nivelin e detit.

“Ai më tha: ‘Nënë po të thërras nga kulmi i botës”, tha Leigh Anne Drake, e cila nga Kalifornia ka përcjellë nëpërmjet një gjurmuesi GPS përparimin e të birit të saj.

“Filloi të qajë dhe më tha se me do. Unë vetëm kërkova nga ai që të kthehet sa më parë në shtëpi”, shtoi Drake.

Romero, 13-vjeçar ka pushtuar edhe malin Kilimanxharo në Afrikë, kur kishte vetëm nëntë vjet dhe theksoi se ai është inspiruar nga pikturat e vendosura në korridoret e shkollës së tij, në të cilat janë të paraqitura shtatë malet më të larta në botë.

Rekordin e mëparshëm në pushtimin e Mount Everestit e ka mbajtur Temba Tsheri nga Nepali, i cili këtë mal e ka pushtuar në moshën 16 vjet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›