E Shtunë, 31 Tetor 2026

Informimi publik, Topi përplaset me Alibeajn

Autori i Lajmit: Suela Topi
Transparenca dhe informimi i publikut ka qenë debati i radhës mes Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesve të Qeverisë. Presidenti Bamir Topi pohoi dje se shqiptarët vazhdojnë të jenë të censuruar në të drejtën e tyre për të marrë informacion dhe kjo bëhet shpesh nga zyrtarë burokratë. Kjo mungesë transparence, sipas tij, është veçanërisht në çështjen e pronave. Sipas Topit, këto fakte duken qartë nga ankesat e qytetarëve qoftë edhe tek Avokati i Popullit. Por ky argument i Kreut të Shtetit është hedhur poshtë nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sipas tij, nuk ka probleme në marrjen e informacionit nga publiku, jo vetëm në çështjen e pronave, por edhe në fusha të tjera. Komentet e tyre u bënë në seminarin ndërkombëtar me temë: “Aksesi për informacion: çfarë mund të bëjë Avokati i Popullit”? Por gjatë takimit me 13 “ombusdmenë”(Avokatë të Popullit) të Evropës në Tiranë nuk kanë munguar edhe referencat për çështjen Pango . Avokati i Popullit, pritës i takimit ndërkombëtar, vlerësoi rolin që ka media për të denoncuar fenomenet e korrupsionit, konfliktit të interesave dhe veprimeve të tjera të pamoralshme të zyrtarëve publike.
Replikat
Kreu i Shtetit pohoi dje se ka shumë zyrtarë burokratë që nuk i përgjigjen interesimit të qytetarëve, të cilët enden nëpër zyra. Presidenti iu referua drejtpërdrejt çështjes së pronave, duke thënë se për interesa të caktuara refuzohet dhënia e informacionit për qytetarët e interesuar. “Në mjaft raste qytetarët janë të painformuar. Nuk gjejnë aksesin në duar për t u informuar. Shpeshherë këto veprime administrative edhe nga punonjës të rëndomtë të administratës bëhen në konspiracion pikërisht për të realizuar qëllime të errëta të tjetërsimit të pronës dhe në mjaft raste ky debat zhvillohet në media. Pra bëhet pikërisht në media për shkak të mungesës së plotë të transparencës në marrjen e informacionit”, - tha Topi. Presidenti theksoi se në këtë aspekt trashëgohen akoma simptomat e sistemit komunist. “Ne trashëgojmë një mentalitet nga i cili tentojmë të largohemi me shpejtësi nga periudha e izolimit komunist ku gjithçka ishte e censuruar, informacioni ishte i kontrolluar dhe e drejta për t u informuar ishte privilegj i një grupi të caktuar personash, i një grupi të vogël njerëzish”, - tha ai. Topi ka vlerësuar ndërkohë si shumë efektive punën e medias. “Shpeshherë, ne mendojmë që futja e medias në disa çështje, të cilat konsiderohen pjesë, atribut ekskluziv i administratës, mund të jetë një gjë e dëmshme, absolutisht. Unë do ta konsideroja këtë një mekanizëm komplementar, që aty ku institucionet publike, administrata nuk ka transparencën e duhur, sot mekanizmat në demokraci funksionojnë të tilla, që ka mekanizma kontestatorë, që futen në veprim pikërisht në funksion të qytetarëve”, - tha ai. Deklarata të Presidentit të Republikës u kundërshtua nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sipas tij, nuk është e vërtetë se zyrat pengojnë dhënien e informacionit, por qytetarët duhet të motivojnë ligjërisht kërkesat e tyre. “Sot për sot nuk ka në administratën publike, të paktën në ekzekutiv, asnjë lloj pengese për marrjen e informacionit. Jo vetëm kaq, por ka mekanizma të përcaktuar në ligj, në akte nënligjore, në urdhra dhe rregullore për lehtësimin e marrjes së informacionit”, - tha Alibeaj. Në seminarin e organizuar nga Avokati i Popullit merrnin pjesë edhe homologët nga Greqia si dhe nga trembëdhjetë vende të Evropës, nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Neritan Ceka, ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, institucione të ndryshme si edhe nga shumë organizata ndërkombëtare si OSBE-ja, etj., dhe organizata të ndryshme joqeveritare vendase.
Ky lajm është publikuar: 10/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›