E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesit grek t i ofrohen lehtësira

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Marrëdhëniet ekonomiko-financiare midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë në vëmendjen e takimt të ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha dhe zv/ministrit grek Miltiadis Varviciotis. Zëvendësministri i Jashtëm grek për çështjet ekonomike mësohet se i ka kërkuar ministrit shqiptar Basha një impakt më të madh të bizneseve helene në vend si dhe një mbështetje dhe përkujdes më të dukshëm për sa u përket investimeve të vendit fqinj në Shqipëri. Sipas burimeve të brendshme të Ministrisë së Jashtme, Basha dhe Miltiadis Varviciotis, deklaruan se "forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve mbetet një prioritet, veçanërisht në këto momente të krizës së përgjithshme financiare botërore". Zv/ministri i Jashtëm të Greqisë, Varvitsiotis, i ngarkuar me diplomacinë ekonomike, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë, do të takohet në vijim me investitorë grekë në Shqipëri si dhe me drejtuesit e Dhomës Greke të Tregtisë në Tiranë për t i dëgjuar ata mbi shqetësimet që hasin në Shqipëri. Në takimin që u zhvillua në Ministrinë e Jashtme, bashkëbiseduesit ndanë vlerësime lidhur me nevojën e forcimit dhe thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, finalizimin e projekteve aktuale, si dhe inicimin e projekteve të reja në të ardhmen në fushat me interes të ndërsjellë si investimet në infrastrukturë, turizëm, etj. Ata trajtuan ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, duke vlerësuar si të shkëlqyer nivelin e tyre, si dhe u ndalën te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe integrimi i vendit në BE. Në këtë drejtim, ministri Basha informoi mbi kuadrin e gjerë të zhvillimeve politike dhe ekonomike të Shqipërisë, si dhe për ecurinë e reformave për plotësimin e angazhimeve në proceset integruese. Ai u ndal edhe te përpjekjet e qeverisë për plotësimin e të gjitha kritereve që kërkohen për liberalizimin e plotë të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së. Nga ana e tij, Varviciotis vlerësoi hapat e bëra në Shqipëri për realizimin me sukses të reformave dhe projekteve të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare. Zëvendësministri i Jashtëm Grek sot do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të biznesit shqiptar dhe grek në Tiranë dhe zyrtarë të dhomave përkatëse të Tregtisë, asaj Shqiptare dhe Greke.

Bashkëpunimi ekonomik
“Shqipëria dhe Greqia shprehën nevojën e forcimit dhe thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, finalizimin e projekteve aktuale, si dhe inicimin e projekteve të reja në të ardhmen në fushat me interes të ndërsjellë si investimet në infrastrukturë, turizëm, etj”
Ky lajm është publikuar: 10/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›