E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një "Gladiator i Artë" për filmin në Shqipëri

"Trishtimi i znj. Shnajder", filmi i realizuar nga regjisori Pirro Milkani, "Sekretet" e Spartak Pecanit dhe "Mao Ce Duni" i Besnik Bishës do të konkurrojnë së shpejti për "Gladiatorin e Artë". 

Por nuk janë të vetëm. Veç tre filmave shqiptarë, do të jenë edhe 11 filma artistikë të huaj, të cilët do të marrin pjesë në të parin edicion të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Artistik. Do të organizohet gjatë fundmuajit gusht në qytetin e Durrësit, nga 23 deri më 4 shtator. Janë të gjitha prodhime që i përkasin tri viteve të fundit, të cilat së bashku e kanë një qëllim, të tërheqin "Gladiatorin e artë" në Shqipëri. Ky aktivitet është i pari festival veror ndërkombëtar për filmin artistik në Shqipëri, që organizohet nga bashkia e qytetit në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Dhe të gjithë do të shfaqen në amfiteatrin antik, ndërsa projeksioni kryesor i filmave për jurinë dhe të ftuarit specialë do të bëhet në qendrën kulturore "Aleksandër Moisiu". Janë filma artistik me metrazh të gjatë në 35 mm dhe mbi 70 minuta. 14 janë përzgjedhur nga juria midis 51 filmave aplikues nga 23 shtete, si përfaqësues të kinematografisë çeke, gjermane, estoneze, kroate, maqedonase apo irakiane. Ndërsa kriteret për përzgjedhjen e këtyre filmave veç gjatësisë së tyre ka qenë viti i prodhimit. Kështu, në festival do të konkurrojnë për çmimin "Gladiatori i artë" për filmin më të mirë artistik, vetëm filmat e prodhuar pas vitit 2005. Gjatë ditëve të festivalit veror, përveç çmimit të madh, juria do të japë edhe një çmim për filmin më të mirë shqiptar, një çmim për aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë si dhe çmimin e jurisë. Në konkurrimin zyrtar të festivalit do të ketë dy seksione, ai ndërkombëtar dhe ai shqiptar. Ndërkaq filmat që janë në garë në seksionin e parë do të konkurrojnë për çmimin e madh "Gladiatori i artë" dhe çmimet e tjera, ndërsa filmat shqiptarë do të jenë në garë për çmimin "Filmi më i mirë kombëtar". Jashtë konkurrimit zyrtar janë planifikuar edhe tri seksione të tjera: seksioni i filmit shqiptar, i dokumentarit dhe ai i filmit vizatimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›