E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga gardistit të Parlamentit

TIRANE - Arrestohet oficeri i Gardës i akuzuar për plagosjen e 40-vjeçarit Adnand Xhepa për motive të dobëta. 

Komisariati nr.2 dhe Zyra e Hetimit të Vrasjeve, pas marrjes në pyetje të oficerit të degës së personaliteteve, Haziz Gashi, nga Lushnja, vendosën arrestimin e tij. Ai u arrestua të dielën në mbrëmje pasi kishte qëlluar me armën e tij të punës Xhepën, duke e lënë të plagosur në këmbë. Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 21:30 në rrugën "Artan Lenja", kur oficeri i Gardës nxori armën duke qëlluar dy herë në drejtim të Adnand Xhepës. Xhepa, 40 vjeç, banues po në rrugën "Artan Lenja", pranë fushës së aviacionit, mbeti i plagosur me një plagë me armë zjarri në këmbë. Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ndërsa policia ndaloi autorin e dyshuar të krimit, Haziz Gashi, oficer i Gardës. Gjatë marrjes së tij në pyetje, Gashi pranoi se kishte qëlluar me armën e tij të punës në drejtim të Adnand Xhepës. Pas marrjes në pyetje dhe të plagosurit, policia i komunikoi arrestimin në flagrancë oficerit të Gardës, Gashi, me akuzën e plagosjes me armë zjarri. Viktima Xhepa pas mjekimit të marrë ka kaluar rrezikun për jetën dhe tashmë ndodhet në Spitalin Ushtarak.                d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›