E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankomatet, pranojnë akuzat 3 të pandehur

TIRANE - Tre të pandehur të dosjes "Matrix 4", pranojnë fajësinë për klonimin e kartave të kreditit dhe realizimin e vjedhjeve përmes përdorimit të tyre në bankomatet e bankave të nivelit të dytë. 

 Lajmi konfirmohet nga burime pranë hetimit të çështjes, sipas të cilave, veç kreut të grupit, Endrit Gjergjani, fajësinë e kanë pranuar edhe tre të pandehur të tjerë, të cilët gjatë marrjes në pyetje kanë dhënë për Prokurorinë detaje të hollësishme për bashkëpunëtorët e tyre në aktivitetin falsifikimit dhe përdorimit të kartave bankare të klonuara; veprimet dhe pozicionin e secilit prej të pandehurve, si dhe shitjen e mallrave të blerë me këto karta krediti. Deklarimet e këtyre po analizohen nga grupi hetimor në kronologji me provat e tjera që janë përfituar nga sekuestrimi i pamjeve filmike nëpër banka, bankomate dhe kasat elektronike, si dhe faturat e shitjeve dhe blerjeve. Gjatë ditëve të fundit, grupi i hetimit është përqendruar në pyetjen e personave të arrestuar me qëllim sqarimin e pozicionit të 12 personave të arrestuar në gjithë skemën e vjedhjeve. Grupi me 12 të dyshuar, që kishte kryer 400 vjedhje gjatë tetë muajve të fundit u arrestua dhjetë ditë më parë në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›