E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuni: Ja si më plagosën para shtëpisë

Gjyqtari rrëfen çastet e tmerrit kur e ka ndjekur nga pas atentatori, si u qëllua në hyrje të pallatit dhe "motivet" e ngjarjes


TIRANË- Gjyqtari Ardian Nuni ka rrëfyer përpara hetuesve të gjitha detajet e dy netëve më parë kur fatmirësisht i shpëtoi atentatit të rrezikshëm ku mbeti i plagosur.

Përfaqësuesit e prokurorisë kanë pritur sa gjyqtari ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën dhe, sapo kanë marrë miratimin e mjekëve, kanë shkuar për ta marrë në pyetje. Për rreth një orë ai i ka treguar prokurorit Xhevat Hana për mesnatën e së dielës duke shpjeguar se nuk e kishte njohur atë që e kishte qëlluar.

"Më ka qëlluar pa paralajmërim dhe vetëm prej një metër larg. Atë nuk e njihja se ishte errësirë por që nuk munda edhe t'ia dalloj fytyrën mirë",- tha gjyqtari Nuni, i cili mbrëmjen e së dielës duke gdhirë e hëna i është nënshtruar tre ndërhyrjeve lokale kirurgjikale.


Dëshmia


"Ka qenë ora 22:30 e mbrëmjes. Unë kisha konsumuar një filxhan kafe me disa miqtë e mi dhe më pas jam nisur për në shtëpi, në lagjen "Komuna e Parisit. Kur kam shkuar pranë shtëpisë e kisha të vështirë të parkoja sepse nuk kishte vende të lira.

Pas disa sorollatjeve me makinë, kam gjetur një parking ku e kam futur makinën dhe jam nisur për në hyrje të pallatit.

Pa mbërritur në shkallët e hyrjes, ku mendoj se ka qenë ora rreth 22:45 minuta, kam pikasur një hije që më ndiqte nga mbrapa. Kam kthyer kokën dhe kam parë një djalë të ri, me rroba të zeza dhe një kapuç dimëror në kokë që më ndiqte dhe në dorë kishte një pistoletë. Jam trembur dhe kam shpejtuar hapat për në hyrje të pallatit. Në momentin që jam afruar shkallëve, agresorin e kisha larg një metër.

Ai ka drejtuar pistoletën ndërsa unë u mundova të ikja me vrap. Ai qëlloi të paktën tre herë por nuk mbaj mend më shumë sepse u rrëzova nga shkallët. Më kujtohet se ai iku me vrap",- ka thënë gjyqtari Nuni.


Për disa minuta ai ka mbetur i shtrirë në shkallët e pallatit dhe më pas ka mbledhur forcat. "Jam ngjitur në ashensor deri në shtëpi dhe aty kam kërkuar ndihmë nga familjarët.


Njerëzit e familjes dhe disa të njohurit e mi që i kemi fqinj, më kanë çuar në spital",- ka përfunduar rrëfimin për ngjarjen gjyqtari i plagosur. Më pas prokurorët e kanë pyetur në lidhje me ndonjë motiv të mundshëm të ngjarjes por ai është përgjigjur se nuk dyshonte për asgjë.

"Deri më tani as në punë e as në jetën private, si unë ashtu edhe bashkëshortja, nuk kemi pasur absolutisht ndonjë problem apo kërcënim që mund t' ju ndihmojë në hetimin e ngjarjes",-është shprehur Nuni para oficerit dhe prokurorit Xhevat Hana.


Hetimet


Burimet e prokurorisë pohuan dje se çështja do hetohet nga Krimet e Rënda. Grupi hetimor ka ngritur deri tani disa pista ky më kryesorja është ajo për shkak të detyrës së tij si anëtar i Gjykatës së Lartë.


Po këto burime theksuan se gjatë hetimit të çështjes nuk janë përjashtuar edhe pistat e ndonjë konflikti apo pakënaqësi e studentëve të Fakultetit Juridik, ku gjyqtari Nuni ligjëron lëndën e të drejtës civile. Ndërsa, burimet zyrtare nga Gjykata e Lartë u shprehen se gjyqtari Nuni që nga fillimi i vitit e deri më tani nuk ka qenë relator apo kryesues i trupës gjyqësore të ndonjë procesi të vështirë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›