E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, sllovenët shpjegojnë bllokadën

Burime diplomatike në Ministrinë e Jashtme në Lubjanë thonë se duan të gjejnë një zgjidhje për të mos penalizuar aspiratën e Tiranës


Sllovenia: Nuk e kemi me Shqipërinë

TIRANË- Sllovenia nuk ka ndërmend t'i vendosë shkopinj nën rrota Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në NATO, pavarësisht problemeve që ka me Kroacinë.


Burime diplomatike të Ministrisë së Jashtme në Lubjanë, i thanë mbrëmë "Shekulli"-t se gjithçka që po ndodh në raport me Kroacinë, nuk i adresohet Shqipërisë dhe se Sllovenia nuk ka asnjë qëllim armiqësor ndaj Tiranës.


"Ne nuk besojmë se qëndrimi i parlamentit të Sllovenisë për të shtyrë protokollin e anëtarësimit të Kroacisë në NATO, do t'i sjellë probleme Shqipërisë. Specifikat e këtyre dy vendeve janë të ndryshme",- tha një burim diplomatik i Ministrisë së Jashtme sllovene në mungesë të një reagimi zyrtar.

Sidoqoftë në Tiranë ekziston droja se edhe nëse Sllovenia e ratifikon Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, bllokimi që mund t'i bëhet Kroacisë do të ishte një eliminim indirekt edhe për Shqipërinë.


Vala e zgjerimit të NATO-s, synonte në zanafillë, të përfshinte një grup vendesh ku përveç Shqipërisë dhe Kroacisë, numërohej edhe Maqedonia. Bllokimi i kësaj të fundit nga Greqia dhe i Kroacisë nga Sllovenia, do ta linte Shqipërinë të vetme përballë dilemës së vendeve anëtare nëse duhet ta konsiderojnë si "valë", zgjerimin me thjesht një vend të vetëm, të vogël dhe pa ndikim si Shqipëria.


Për autoritetet shqiptare, kjo konsiderohet si një pikëpyetje e rrezikshme. Ndonëse qeveria sllovene nuk ka pasur objeksione për anëtarësimin e Kroacisë dhe Shqipërisë, parlamenti vendas anuloi seancën e miratimit të Protokollit të anëtarësimit në NATO të të dyja vendeve të premten, me frikën se opozita do të votonte kundër.


"Pavarësisht kontestit kufitar me Kroacinë, Sllovenia nuk do të dalë kundër qëndrimit të përgjithshëm të aleatëve të NATO-s për pranimin e Tiranës dhe Zagrebit",- tha zyrtari slloven.


"Po kërkohet një zgjidhje dhe po punohet për ta gjetur sa më parë atë",- shtoi ai duke sqaruar se Sllovenia ka qenë vetë në pozitën e Shqipërisë, kur rrezikonte të mbetej e vetme në valën e anëtarësimit në BE, para disa vjetësh, prandaj e kupton shqetësimin e drejtë të opinionit publik në Tiranë.


Autoritetet në Shqipëri nuk kanë bërë asnjë koment me krizën e papritur ku hyri anëtarësimi i vendit në NATO, por duket se gjendja është vërtet e nderë. Deri Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Shefer, thirri urgjentisht për konsultime në Bruksel ministren e jashtme sllovene Ljubica Jelushiç.


Zëdhënësit e NATO-s u treguan të kujdesshëm, duke thënë se bëhej fjalë thjesht për një seancë dëgjimore, por duket se në Bruksel nuk e kanë pritur mirë krizën që ka plasur në Lubjanë ku nuk duan që Kroacia t'ia hedhë aq lehtë.


Konflikti

Sllovenia dhe Kroacia po grinden prej shumë vitesh rreth kufirit detar midis tyre për shkak se në ish-Jugosllavi ku të dyja republikat bënin pjesë më herët, këto koncepte kishin mbetur fluide për afro 60 vjet.


Sllovenia ka ushtruar presion për të marrë dy të tretat e daljes në det në një gji pranë Triestes që ndahet nga të dyja vendet, por Kroacia po e zvarrit zbatimin e marrëveshjes ku ishte marrë vendimi në fjalë.


Për këtë arsye Lubjana u zemërua dhe nga 2007-a ka vendosur një regjim drakonian vizash mes dy vendeve që dikur kishin një marrëdhënie vëllazërore.


Situata është acaruar deri në atë pikë aq sa rregullisht raportohet për përleshje mes peshkatarëve dhe rojeve kufitare të të dy vendeve që qarkullojnë ujërat e diskutueshme. Shqipëria ruan një nivel të ngrohtë marrëdhëniesh me të dyja vendet dhe kriza në fjalë duket se e ka zënë Tiranën të papërgatitur.


Gjatë gjithë kësaj jave priten negociata të dendura mes palëve politike në Slloveni për të gjetur një zgjidhje pa e çuar deri në një referendum popullor pikëpyetjen nëse duhet miratuar anëtarësimi i Kroacisë në NATO.


Opozita vendase në Slloveni, po mban në këto kushte flamurin e linjës së ashpër nacionaliste, duke ditur ndjeshmërinë popullore për këtë çështje ku është në lojë krenaria kombëtare.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›