Kuvend, sot votohet për KQZ-në e re
Kandidaturat do të kalojnë në komisionin e ligjeve. Më pas seanca pritet ti votojë
TIRANË- Kuvendi pritet i jap fund sot debatit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ashtu siç e përcakton rregullorja të dhjetë kandidaturat e propozuara për 7 vendet në KQZ do të kalojnë fillimisht gjatë paradites së sotme në Komisionin parlamentar të Ligjeve për të parë nëse vijnë ose jo në përputhje me kriteret që përcakton Kodi Zgjedhor.
Më pas do të jetë seanca plenare e mbrëmjes ajo që do të përcaktojë me votë në mënyrë përfundimtare 7 anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Referuar edhe ligjit të ri zgjedhor, për miratimin e tyre seanca pritet të votojë në mënyrë të fshehtë, por ende nuk është përcaktuar nëse procesi do të kryhet me kuti apo me elektronikë.
Burime pranë Kuvendit bëjnë të ditur se votimi do të bëhet i fshehtë me elektronikë në rast se nuk do të ketë kontestime dhe dyshime nga ndonjë forcë politike në lidhje me votimin.
Në një rast të tillë, Kuvendi do të duhet të votonte një e nga një të katër kandidaturat që kanë paraqitur dy forcat e mëdha dhe më pas do të hyjë në procesin e votimit të kandidatëve të partive të vogla, të cilat kanë propozuar nga dy kandidatura për një vend në KQZ.
Në rastin e kandidaturave të forcave të vogla, bazuar në rregulloren e Kuvendit, votimi do të bëhet për secilën kandidaturë i veçantë sipas renditjes së alfabetit. Në rast se kandidatura e parë arrin të marrë shumicën e votave të deputetëve në seancë, atëherë bëhet i pavlefshëm votimi i kandidatit të dytë.
Ndërkohë më pas Kuvendi do të votojë dhe dy kandidaturat e propozuara për kryetarin e KQZ-së, i cili zgjidhet përmes një procesi të veçantë.
Kuvendi do të votojë për anëtarë të KQZ-së Hysen Osmanajn dhe Vera Shtjefnin të propozuara nga PD, Dëshira Subashin dhe Artan Lazen, të propozuara nga PS, Arben Braçen dhe Klement Zgurin të propozuar nga PR dhe Pavli Zerin e Pandeli Varfin të propozuara nga PSD.
Ndërkohë që për kryetarin e KQZ-së në garë janë Arben Ristani dhe Albana Vokshi.