Një automjet përplas policin rrugor në shërbim

DURRËS/ Punonjësi Kastriot Aliaj është përplasur teksa ishte në shërbim përgjatë autostradës Durrës-Tiranë
Bëhet e ditur se pakujdesia, shpejtësia dhe moti i keq qenë shkak për aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme
DURRËS - Një polic rrugor ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë, pasi është përplasur nga një automjet tip fuoristradë, teksa ndodhej në aksin Durrës-Tiranë, bashkë me një kolegun e tij. 35-vjeçari Kastriot Aliaj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, por jashtë rrezikut për jetën, teksa policia ka shoqëruar drejtuesin e automjetit që plagosi rrugorin, shtetasin Afrim Biberi.
Mësohet se ka qenë ora rreth 17:00 e pasdites së të enjtes kur 35-vjeçari Kastriot Aliaj, me detyrë kontrollor në seksionin e qarkullimit rrugor të Durrësit ishte me shërbim bashkë me një koleg në afërsi të zonës së Sukthit. Në këtë kohë një automjet tip fuoristradë, me targa TR 2809 C, i cili drejtohej nga Afrim Biberi, e ka përplasur policin.
Më pas shtetasi nga Rrogozhina ka ndaluar, duke e marrë punonjësin e policisë rrugore dhe duke e dërguar për në spital, ku edhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Burimet policore flasin për një aksident të shkaktuar nga pakujdesia dhe shpejtësia e madhe, e ndikuar edhe nga kushtet e rënda të motit.
Policia ende nuk e ka zbardhur mekanizmin e ngjarjes, ndonëse ka kryer shoqërimin në komisariat të shoferit Biberi. Ndërkohë, mësohet se gjendja shëndetësore e policit të aksidentuar është e rëndë, pasi ka pësuar disa fraktura në pjesë të ndryshme të trupit nga përplasja me fuoristradën.
Polici i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Durrësit dhe gjendet në sallën e reanimacionit nën kujdesin e plotë të mjekëve. Mjekët e këtij spitali saktësuan se në momentin që u paraqit, gjendja e tij ishte shumë e rëndë por pas ndërhyrjes kirurgjikale ka dalë nga rreziku për jetën. Mësohet se një grup i posaçëm është ngritur për të zbardhur plotësisht mekanizmin e aksidentit.