Një betejë botërore për ndreqjen e një gabimi
Një mori reformash për një ngjarje të pazakontë. Një betejë botërore Kosovën e vogël. Një betejë botërore për ndreqjen e një gabimi, po ashtu botëror, të bërë para njëqind viteve. Diplomacia botërore gaboi dy herë që u besoi serbëve; një herë në nëntorin e vitit 1912, dhe s’dyti, në nëntor të vitit 1944, kur serbet e pushtuan Kosovën dhe e shpallën “djep të civilizimit të tyre”.
Stacy Sullivan është redaktore e lartë në Institutin për Raportim për Luftën e Paqen. Ish-korrespondentes së “Newsweek” nga Ballkani i shkoi përdore të bëjë një rrëfim sublim për “Betejën botërore” për Kosovën e vogël, por me rrënjë edhe në ShBA.
Vepra e Sullivan “Mos kij frikë se i ke djemtë në Amerikë: Si e futi pullazxhiu Amerikën në luftë në Kosovë”, padyshim se është ndër krijimet letrare më të spikatura të botuara së fundmi, që pushtoi lexuesin në nivel planeti.
Ndonëse vepra është shkruar nga Sullivan, ajo është një mendim i sintetizuar, i matur mirë dhe i redaktuar shumëherë nga njerëzit më eminentë të artit letrar dhe gazetarisë botërore. Në faqen 11 të veprës, autorja shprehë falënderimet e saj për njerëzit që i ndihmuan në përpilimin, hartimin, shtruarjen e tezave, e hipotezave; i ofruan argumente të bollshme e precize shtesë për përputhjen e temës, fabulës, syzheut, ngjarjes, idesë, kompozicionit, tekstit e nëntekstit me realitetin shoqëror, por edhe të reales e imagjinatës.
Mendimet e titanëve të gazetarisë botërore që pasqyruan krijimin e një realiteti të ri shoqëror në Kosovë, pjesë e të cilës ishte edhe vetë autorja me ekipin e saj, nuk po dinin se po ndërtonin personazhe e heronj të veçantë të veprës. Për lexuesin shqiptar, një meritë të veçantë e ka përkthyesja, nga anglishtja në shqip, Evliana Berani, dhe Behar Zogiani, të cilët i kanë dhënë shkrimit një shije autoktone, si të jetë e shkruar në shqip.
Heronjtë e veprës janë njerëz të rëndomtë që gjenden në mesin e njerëzve të tjerë, por që dallojnë nga ata kur vihen në ballë të luftës, falë përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe vetëmohimit për të jetuar si të tjerët, ngase kanë një shpirt të gjallë, të mbushur me plot energji e dashuri njerëzore. Ideali i tyre është toka e shenjtë e Kosovës, është populli me gjenezë autoktone ilire dhe me dashuri të lartë njerëzore.
Personazhi kryesor i veprës, Florin Krasniqi, është një personazh tipik i stilit të postmodernes në krijimtarinë letrare, një stil ky që ‘sefte’ u shfaq në ShBA, në dhjetëvjetëshin e fundit. Letërsia e shekullit 20 në kontinentin e Amerikës Veriore duket se ka marrë një kah tjetër të pasqyrimit të realitetit shoqëror.
Në këtë formë të të shkruarit, ku gërshetohet realja me imagjinatën, meditimi me krijuesen, intuita me shpirtin, irracionalja me racionalen, e kurorëzimi i fuqisë krijuese me sublimen, heroi i veprës është një koncept ndryshe, një koncept gjinor që mbulon njeriun e thjeshtë konkret e të gjallë. Një hero i gjallë që vazhdon të bëjë ndryshime të pareshtura. Është një figurë artistike që narratori i jep një forcë të gjithëdijshme që të rrëfejë realitetin e krijuar, për një shekull. Personazhet në këtë roman janë krijesa reale. E, të gjitha tiparet e karakteret me të cilat i pajisi imagjinata e autores, ajo i gjeti të kompletuara tek këta njerëz të thjesht, por që dinë të digjen për atdheun. Po t’i referohemi letërsisë krahasuese për karakteret e personazheve pozitive të veprës, figura e gjeneralit, Ramush Haradinaj, mund të krahasohet me kryepersonazhin e Odisesë, Homerit antik.
Adrian Krasniqi, ushtari i parë i veshur me rroba ushtarake qëllohet për vdekje. Vdes për kauzën shqiptare, ashtu si edhe të parët e tij. Ky hero e protagonist i lavdisë shqiptare, u bë edhe protagonist e hero i veprës letrare, autorja e cilës nuk pati nevojë të kërkonte edhe më të vogëlon cilësi a tipare imagjinative për t’i atribuuar personazhit.
Pas Arianit u vranë me mijëra të tjerë. “Por shqiptarët do ta kontrollonin tokën për të cilën besonin se, ligjërisht, u takonte”, f.,27.
Në pjesën e fundit, është dhënë një performansë e bilancit brenda NATO’s, dhe arsyet e ndërhyrjes për zgjidhjen e problemit, gjegjësisht, për jetësimin e mendimit të vullnetit të kryetarit Wilson të ShBA’ve, pas Luftës së Parë Botërore, kur propozonte se: “Shqipëria, jo vetëm që duhet të garantohet nga fuqitë e mëdha, por, për më tepër, ajo duhet t’i përfshijë të gjitha territoret dhe gjithë popullatën e saj brenda një ombrelle“.
80 vite më vonë, u deshën 45 miliardë dollarë, 15,000 viktima - kryesisht fëmijë, pleq e gra të moshuara, 20,000 femra të dhunuara, 300,000 shtëpi të djegura, një milion shqiptarë të depërtuar në shtëpitë e tyre, një ekonomi familjare e plaçkitur, përplot njerëz të traumatizuar e të çmendur etj, për të paguar çmimin e idiotizmit rus e serb.
Në fund të epilogut, duke iu referuar Edith Durham, Salliven librin e saj e përfundoi me konstatim se: “Në Gadishullin Ballkanik, sikur edhe gjetiu, më të fortit mbijetojnë në luftën për ekzistencë. Vitet e ardhshme do të jenë interesante. Nuk mund të shkruajmë Fund, ngase Fundi ende s’ka ardhur.