E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti nuk mund të arrestohet

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mund të arrestohen për shkak se këtë nuk e lejon Kushtetuta. Kjo vlen edhe për Rastin Limaj. Kështu thonë ekspertët, të cilët shpjegojnë se deputeti mund të arrestohet vetëm nëse i hiqet imuniteti. Nga Express më 18 mars 2011 në ora 10:08

Deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet, përderisa është duke kryer detyrat e tij.

Por, ata që janë nën hetime për vepra të ndryshme penale, nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.

Prokuroria mund t’i kryejë hetimet ndaj deputetëve të dyshuar për vepra penale, por jo edhe të arrestohen, nëse Kuvendi nuk ia heq paraprakisht imunitetin.

Këto përkufizime të Kushtetutës së Kosovës i shpjegojnë edhe ekspertë për çështje kushtetuese.

Mazllum Baraliu, profesor në Fakultetin Juridik, thotë se konform nenit 75, pika 1 e Kushtetutës së Kosovës, deputetët kanë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të tyre si deputetë të Kuvendit.

Në Nenin 75 të Kushtetutës thuhet se deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet, e as të ndalohet përderisa është duke kryer detyrën e tij si deputet i Kuvendit.

“Imuniteti nuk e pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet që ata ndërmarrin jashtë fushë-veprimtarisë së përgjegjësive të tyre në cilësinë e Kuvendit.

Kjo është pak konfuze, por në Nenin 75 të Kushtetutës thuhet se deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet, e as të ndalohet përderisa është duke kryer detyrën e tij si deputet i Kuvendit”, ka thënë Baraliu, për Radion Europa e Lirë.

Baraliu shpjegon, po ashtu, se një deputet i Kuvendit mund të arrestohet nëse imuniteti i tij hiqet nga Kuvendi, ose edhe nëse vetë deputeti heq dorë nga një siguri juridike që ia ofron Kuvendi.

“Për të arritur pastaj e drejta dhe mundësia e institucioneve përkatëse të drejtësisë, të ndjekjes në këtë rast, që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre ligjore. Kështu, pra, vlen edhe për deputetin Limaj edhe për çdo deputet dhe deputete të Kuvendit të Kosovës”, deklaron Baraliu.

Edhe eksperti tjetër juridik, Riza Smaka, konsideron se çështja e imunitetit të deputetëve tashmë është e rregulluar me Kushtetutën e vendit - një gjë të tillë e sqaron qartë edhe Rregullorja e punës së Kuvendit. Sipas tij, një deputet nuk mund të arrestohet pa heqjen e imunitetit.

“Për aktet, të cilat janë të sanksionuara me dënim deri në pesë vjet jo, e për më tutje ato konsiderohen krime të rënda. Natyrisht, që hiqet imuniteti edhe menjëherë informohet Kuvendi. Komisioni për imunitet do ta shqyrtojë dhe më pastaj do të veprohet si në rastet e tjera”, thekson Smaka.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Fatmir Limaj, të mërkurën është marrë në bisedë nga prokurori i EULEX-it për më shumë se dy orë.
Një veprim të këtillë të zyrtarëve të EULEX-it, ekspertët e drejtësisë e shohin si të nxituar. Baraliu konsideron se një ndalim i tillë i deputetit Limaj nuk është dashur të ndodhë.

“Që e ka ndalur, gjithsesi ka gabuar dhe nuk guxon të bëjë veprime të tilla. EULEX-i është një mision serioz, duhet t’i analizojë mirë ligjet, në bazë të të cilave vepron dhe jo vetëm të ndërmarrë veprime spektakulare, që shqetësojnë opinionin kosovar dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Pra, duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të tyre ligjore për të qenë plotësisht të bindur se ato janë të ushtruara në përputhje me dispozitat e Kushtetutës”, u shpreh Baraliu.

Rasti i Limajt është ngritur pas arrestimit të nëntë personave nga ana e misionit europian për sundimin e ligjit nën dyshimet për krime lufte.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›