E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nobel", ky nuk është një çmim për femrat

E quajnë "Kopeja e pinguinëve". Janë pjesëmarrësit e akademive të ndryshme suedeze dhe nobelistë, të cilët çdo vit me rastin e ceremonisë së dorëzimit të çmimeve, më 10 dhjetor, mblidhen në podiumin e Konserthuset të Stokholmit. Në këtë paradë kostumesh të zeza dhe këmishësh të bardha, ngjyrat e tjera që tregojnë praninë e ndonjë gruaje me fustan mbrëmjeje nuk ekzistojnë. Përfundimi i këtij përfaqësimi mashkullor hijerëndë lexohet edhe në shifra: nga viti 1901 e deri më sot, në 741 çmime "Nobel" të shpërndara, vetëm 35 prej tyre kanë nderuar gjininë femërore. Mjafton të hedhësh një vështrim mes pjesëtarëve sekretë të kolegjiumit "Nobel", të cilët përcaktojnë çmimet për fizikën, kiminë dhe mjekësinë, për të vërtetuar se në këtë grup të vogël prej dhjetë vetash nuk është e pranishme asnjë grua, që për pasojë e traditë, vëmendja e zotëve të shkencës u rezervohet thuajse ekskluzivisht vetëm meshkujve.

Dikush ka përmendur tërthorazi se ka qenë profesoresha Ebba Witt Brattström, e cila bindi shokun e saj, sekretarin e përhershëm të Akademisë Mbretërore të Suedeze, Horace Engdahl, t‘i nderonte me çmimin "Nobel" për letërsinë dy shkrimtaret botërisht femërore: Elfride Yelinek dhe Doris Lessing.

Por edhe sikur të kishte ndodhur vërtet kështu dhe vendimi të ishte marrë në shtëpinë e zotit Engdahl, duhet shumë për të barazuar këtë diferencë. Në fakt, nga 107 çmime "Nobel" të ndara deri tani për letërsinë, vetëm 11 prej tyre u janë dhënë femrave. Megjithatë ky nuk është një mister dhe këtë e ka konfirmuar kohët e fundit vetë fituesja e çmimit, ku shumë vjet më parë një akademik suedez (mashkull sigurisht) i tha Doris Lessing pa ju dridhur qerpiku se një femre kokëfortë si ajo nuk duhej t‘i jepej kurrë çmimi "Nobel". Ndoshta kjo është edhe një nga arsyet që zonja Lessing akuzoi një "sëmundje diplomatike" për ta ndëshkuar, duke qenë se mungoi edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimit. Me sa duket, duhej të kishte mbushur të 90-at për t‘u nderuar me këtë çmim.

Edhe "Nobel"-i për paqen, që jepet nga Parlamenti norvegjez, flet një gjuhë thuajse ekskluzivisht mashkullore. Nga viti 1901 e deri më sot, ose më saktë për më tepër se një shekull, vetëm 12 gra kanë pasur kënaqësinë të nderohen me këtë çmim.

Gjithashtu, nëse hedhim një vështrim te shkencat ekzakte, mund të vërtetohet se në 521 çmime "Nobel" të përgjithshme për kiminë, mjekësinë dhe fizikën, çmimi i lakmuar i shkoi një grupi fare të vogël prej 12 femrash.

Fanella e zezë i takon fizikës, ku vetëm dy gra janë vlerësuar me "Nobel": njëra në vitin 1903 (Mari Kyri) dhe tjetra në 1963-in (Maria Mayer Goeppert). Kimia prezanton vetëm tri femra të cilat janë vlerësuar me çmimin "Nobel", ndërsa mjekësia numëron shtatë.

Në 14 vitet e fundit asnjë grua nuk ka fituar "Nobel" për fizikën ose kiminë.

Ja si e komenton këtë situatë profesoresha Agnes Wold nga Poliklinika Universitare e Gotenburgut: "Është e pabesueshme. Më vjen vërtet keq që trashëgimia e Alfred Nobel administrohet në një mënyrë kaq të padrejtë dhe që qëllimet e tij të mira ndryshohen hapur. Ishte një personazh radikal dhe modern. Kjo ndarje e shtrembëruar mes fituesve dhe pjesëtarëve të kolegjiumit që bëjnë zgjedhjet, rrezikon të komprometojë famën e çmimit ‘Nobel‘".

Sipas profesoreshës Wold, këshilltare e institutit prestigjioz "Karolinska" në Stokholm, për momentin ka shumë femra të cilat janë të denja si për të fituar çmimin, ashtu dhe për të qenë pjesëtare të kolegjiumit. Përveç "lajthitjes" së akademikëve suedezë, gjatë viteve në vazhdim janë verifikuar edhe disa raste të tjera ku femrave praktikisht çmimi u është "vjedhur" nga shkencëtarë të cilët kanë shijuar gjithë lavdinë e zbulimeve të bëra nga koleget e tyre, pa qenë nevoja që këtyre të fundit t‘u njiheshin meritat. Dhe kjo është një nga gjërat më të rënda.

Rastet e famshme të "vjedhjes" shkencore

Rosalind Franklin

Mori pjesë në kërkimin e strukturës së ADN-së, e cila u mbyll me spiralen e famshme, paraqitur në 1953-shin nga James Watson e Francis Crick nga Universiteti i Kembrixhit dhe që fitoi çmimin "Nobel" në 1962-shin. Shumë vite më pas doli në dritë se ajo spirale mbështetej mbi radiografitë e kristaleve të nxjerra nga Rosalind Franklin dhe se Watson e Crick shfrytëzuan padijen e saj, duke mos ia thënë asnjëherë.

Jocelyn Bell

Ishte një studente astronomie, e cila studionte në Kembrixh, kur në 1967-ën zbuloi yllin e parë neutron. Por ishte referuesi i saj, Anthony Hewish, që fitoi çmimin "Nobel" në vitin 1974. Bell jo vetëm që nuk hoqi dorë nga lavdia, por gjithashtu nuk u pengua për të vazhduar më tej karrierën universitare. Vetëm në 1991-shin u njohën meritat e saj dhe iu ofrua katedra e Fizikës në universitetin "Milton Keynes University".

Lise Meitner

Fizikane austriake hebreje, e cila që nga viti 1918 bashkëpunoi me kimistin gjerman Otto Hahn nga Berlini, për studimin e parimeve të radioaktivitetit. Ishte ajo që i dha jetë modelit teorik, i cili shpjegonte ndarjen e atomit të uranit, duke zbuluar kështu misterin e fizikës bërthamore. Në vitin 1944, Otto Hahn fitoi çmimin "Nobel" për kiminë, ndërsa Lise Meitner u mbajt mënjanë dhe emri i saj nuk u përmend kurrë.

Chien-Shiung Wu

E lindur në Kinë, në vitin 1963, emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe për 37 vite me radhë punoi në laboratorët e fizikës të Universitetit të Kolumbias, në Nju Jork. Në 1956-ën ndihmoi në mënyrë vendimtare dy kolegë të rinj në testet e shkeljes së parimit të simetrisë, që në vitin 1957 u dha atyre çmimin "Nobel". Emri i saj nuk u përmend kurrë nga dy kolegët në raportet e tyre


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›