Xhani Morandi: "Ju rrëfej sukseset dhe dështimet e mia"
Tre vjet pas turit të tij të fundit, djaloshi italian, që duket se nuk do të plaket kurrë, ka vendosur t‘i kënaqë sërish ata që e adhurojnë. Vetëm 36 muaj më vonë, Xhani Morandi u rikthehet koncerteve dal vivo dhe raporteve të ngushta me spektatorët, që i konsideron si pjesën më të rëndësishëm të punës së tij. Një CD e trefishtë që përmbledh pjesët më të bukura të kënduara në karrierën e tij do ta bëjë Morandin të pavdekshëm. "Do të doja t‘i ftoja të gjithë në shtëpinë time për të dëgjuar këngët e mia më të bukura, por më mirë po e bëj këtë në një skenë të madhe dhe me kitarën në dorë, duke i konsideruar fansat e mi, miqtë më të mirë", tregon këngëtari. Edhe pse 64 vjeç, Morandi nuk dëshiron të ndahet nga skena, madje kujton dhe rrëfen me kujdes momentet me të vështira dhe më të bukura atë karrierës së tij. Janë gjithsej 400 këngë, që vit pas viti u shndërruan në hitet dhe simbolet e shumë brezave. "Ky do të jetë disku i parë dhe i fundit", më thoshte babai, kur regjistrova këngën "Andavo a cento allora". Ishte viti 1962 dhe babai im ishte skeptik për të ardhmen time në muzikë. Por edhe unë, nëse të ardhmen do të ma kishin treguar në atë moment, nëse do të më kishin thënë se gjysmë shekulli më vonë do të isha akoma këtu duke kënduar dhe duke marrë ngrohtësi nga publiku, nuk do t‘i kisha besuar. Që doja të bëhesha këngëtar këtë e vendosa në moshën 13-vjeçare, kur në Monghidoro shihja Modunjon teksa këndonte të famshmen "Volare" në një televizor të vogël bardhezi. Në atë kohë punoja me babanë tim që ishte këpucar, ndërsa shkollën m‘u desh ta lija pas fillores. Ai më detyronte shpesh që të lexoja me zë të lartë, ndërsa ishim duke rregulluar këpucët së bashku. Nuk kam pasur kurrë aq kohë sa doja për të luajtur. Në kohën time, të rinjtë nuk kishin kaq impenjime sa sot dhe miqtë e mi që frekuentonin shkollën e mesme, pasditen e harxhonin gjithmonë për t‘u argëtuar. Edhe disa vjet më vonë, kur nisa të këndoja dhe kur çoja në shtëpi 500 lireta, ato mbrëmje më dukeshin sikur isha në punë. Nuk kam pasur shumë momente për të kaluar me bashkëmoshatarët e mi, sepse më vonë m‘u desh që të kryeja shërbimin e detyruar ushtarak. Isha kaq i lumtur. Më kujtohet se ishte viti 1967. Edhe pse e dija që po të largohesha nga skena ishte diçka shumë e rrezikshme, ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ishte rasti i parë për të hyrë në marrëdhënie me djem të tjerë. Në fillim më duhej të "kaloja" mosbesimin e shokëve të mi. Në dy javët e para më konsideronin më shumë se sa një mik, një personazh televiziv. Në fakt, në vitet ‘60 isha bërë shumë i famshëm. Ishte koha e "Andavo a cento all‘ora" dhe "Fatti mandare della mamma a prendere il latte", pjesë që i këndova që fëmijë e i kujtoj akoma me gëzim të madh. Më vonë ishte periudha e angazhimit tim për "C‘era un ragazzo che come me amava i Beatles e i Rolling Stones" dhe sukseseve të mëdha si "In ginocchio da te". Një epokë hyjnore, ku sigurisht nuk ishte e lehtë të kaloje pa u vënë re. Vetëm me një televizion dhe një kanal radiofonik, pa internet dhe telefon, të ndesheshe me personazhe të famshëm ishte e rrallë, e nëse të ndodhte, ishte e sigurt se 500 apo njëmijë persona të zinin rrugën. Mbaj mend një herë teksa shkoja në kinema, ku shfaqej një nga filmat e parë të Sergio Leones, po iu desh ta anulonin për disa orë për shkak të entuziazmit që shkaktoi prania ime aty. E kundërta e kësaj do të ndodhte vetëm disa vite më vonë. Kështu, në vitin 1971, organizatori i të famshmes "Cantagiro" vendosi të sillte edhe grupe të huaja për të interpretuar. Sipas skenarit, në fillim duhej të këndonin këngëtarët italianë, por publiku reagoi për hyrjen time me një ulërimë që sigurisht nuk ishte kënaqësie. Ndërsa un përpiqesha të bëja për vete turmën me këngën "C‘era un ragazzo", klithmave iu shtuan edhe domate dhe shishe. Në atë kohë mora shenjën e parë se koha po ndryshonte. Kishte perënduar koha e kantautorëve, ndërsa unë përfaqësoja të kaluarën, atë që të rinjtë nuk e donin më. Në të njëjtën periudhë më vdiq im atë, u ndava nga gruaja, madje në një moment nisa të mendoja të bëhesha lojtar pokeri për të jetuar. Ishte pikërisht muzika që më shpëtoi. Në vitin 1976 u futa në konservatorin e "Shën Cecilias" në Romë, duke zgjedhur kontrabasin për të fituar të vetmin vend që ishte në dispozicion. Të studioja në fillim ishte e rëndësishme për të mbushur ditët, pastaj u shndërrua në vitet më të bukura atë jetës. Në vitet ‘80 m‘u duk sikur gjithçka rilindi nga e para. Në këtë kohë dolën edhe këngët e reja si "Canzoni stonate" apo "Uno su mille", kënga që më shumë se çdo këngë tjetër është e lidhur ngushtë me periudhën më të errët të jetës sime. Nëse do të isha i detyruar të zgjidhja vetëm një këngë në karrierën time, ajo do të ishte "Uno su mille". Për publikun u bë një këngë simbol, sepse transmeton forcën e vullnetit për të kaluar momentet e vështira të jetës. E njëjta gjë që të duhet për të fituar një sfidë apo garë. Ndoshta për këtë arsye i adhuroj maratonat. "Me vrapin provon kënaqësinë e vetmisë, në maratonë ndjen fizikun tënd edhe në mes të dhjetëra mijëra personave. Flet me gjunjët e tu, qëllon që të dhembin e s‘mbajnë më; flet me brendësinë tënde. Më ka ndodhur të mendoj për fëmijët e mi apo një këngë ndërsa vrapoja. Një raport me intensitet të madh teknik dhe emotiv, një eksperiencë e jetuar me një ndjesi rigjetje të jashtëzakonshme. Pasioni lindi disa vjet më parë, pas takimit me gruan time, Anën, dhe lindjen e djalit tim, Pietros. Shumë thonë se kur vrapoj fytyra ime si një djalë i mbarë merr një pamje krejt tjetër, të paimagjinueshme. Kjo është historia ime". Në karrierën e tij ka shitur më shumë se 34 milionë disqe dhe ka incizuar 34 albume, i fundit me titullin "Il tempo migliore". 70 këngë si solist, përveç dueteve të paharrueshme. Këngët e tij në vitet ‘80 kanë qëndruar në majat e klasifikimit për më shumë se 778 javë. Për Morandin janë publikuar gjashtë libra biografikë dhe një autobiografik, "Diario di un ragazzo italiano". Ka qenë "aktor" në 18 filma, edhe pse jo aq i zoti sa në këngë, dhe është njëkohësisht një nga themeluesit e "Kombëtares italiane të artistëve", në të cilën mban vendin e parë për sa u përket ndeshjeve të luajtura dhe golave të shënuar, përveçse i pasionuar tmerrësisht pas maratonave.