E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Një dashuri e largët” mes Lekës dhe zonjë Shnaider

Autori i Lajmit: Redaksia

“Trishtimi i zonjës Shnaider”, pas suksesit që pati ky film, me regji të Pirro dhe Eno Milkanit në Shqipëri, por edhe në festivale të ndryshme të filmit, tashmë do të vijë me një seri të dytë. “Një dashuri e largët”, është titulli provizor i serisë së re të këtij filmi, që natyrisht do të ketë edhe zhvillime të reja në fabul... Ngjarja është vazhdimi i historisë, aty ku ngelet e para. Fati i Lek Serjanit në Shqipëri dhe fati i zonjë Shnajder në Çeki, fati i shokëve të Lekës e personazheve të tjerë. Momenti kyç i këtij filmi do të jetë pushtimi i Çekisë nga forcat e Traktatit të Varshavës në vitin 1968 dhe vendimi pozitiv për të denoncuar këtë akt agresiv. Momente të tjera interesante janë përpjekjet për tu bashkuar, izolomi i Shqipërisë dhe filmi mbyllet me kthimin e Lekës në Çeki kur dhe fiton demokracia. Realisht kjo pjesë e dytë e filmit “Trishtimi i zonjës Shnaider”, ka gati sinopsin, por autorët e këtij projekti janë ende duke pritur financimet konkrete, të premtuara nga pala çeke. “Një dashuri e largët”, në ndryshim nga seria e parë e filmit, xhirimet kryesisht do të jenë në Shqipëri, pra çfarë ndodh me Lekë Serjanin dhe me Kinostudion, atmosferën shoqërore dhe politike të Shqipërisë. Do të ketë xhirime në Çeki, se çfarë ndodh atje dhe vëmendja do të përqendrohet tek mikesha e Lekë Serjanit, tek përgjegjësja e hotelit. Xhirime të tjera do të ketë disa ditë në Berlin dhe në Jugosllavinë e Titos. Ku një grup turistësh çekë vijnë deri në Liqenin e Shkodrës në kufi me Shqipërinë të rrethuar me tela me gjemba, ku shikojnë vendin ku jeton Lekë Serjani.
“Trishtimi i zonjës Shnajder”
Në këtë film subjekti vërtitet rreth dashurisë së djemve shqiptarë me vajza të huaja, kuadratizuar me lirizëm dhe romantizëm, ndërkohë që drama e këtij filmi është thënë se është më shumë se e jetuar kinematografikisht. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1961, kur një grup studentesh të FAMU-së, çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Kreshnik Xhelilaj) xhirojnë në Çeki “Shternberk” një film diplome për fabrikën e prodhimit të motorëve ESO. Në film jepet përballja e jetës së të rinjve, tërheqja e tyre për fshatin çek, jeta që ata bëjnë me disa personazhe pikantë dhe të gjetur si, konti, shefi i policisë lokale, përgjegjësja e hotelit, drejtori i fabrikës. Por nga ana tjetër, filmi tregon edhe dramën personale të Lekës, një student nga një vend i izoluar i Evropës, i cili ndodhet në dilemë mes përkatësisë së tij dhe stilit të jetës çeke, e karakterizuar nga shkujdesja erotike dhe jeta e lirë. Pasioni i dashurisë së djalit të ri me një grua, e shoqja e shefit të policisë, është gjithashtu një ngjarje më vete që jepet në këtë film. Por çelësi kryesor i suksesit të këtij filmi bazohet natyrisht në realitetin e jetuar nga vetë Milkani, i cili në vitin 1961 së bashku me dy shokë të tij studentë, po udhëtonin në një fshat rreth 50 km larg Pragës. Ata kishin ardhur me qëllim që të realizonin një dokumentar për një fabrikë motoçikletash. Ditën punonin ndërsa në mbrëmje merrnin pjesë në vallëzime e shëtitje me vajzat e fshatit. Në një nga këto mbrëmje, Milkani do të njihej edhe me një grua të re, të shoqen e shefit të policisë, me të cilën do të dashurohej, por që fatkeqësisht nuk do ta shihte më kurrë. Në atë fshat të mrekullueshëm Milkani do të njihte edhe njerëz të tjerë: kontesha që punonin në fabrikë, një kont që kishte një kështjellë, e cila ishte sekuestruar nga shteti dhe ky i i fundit i kishte bërë "favor" kontit, duke e punësuar si ciceron në kështjellën e tij. Në një ambient të tillë, rrethuar nga karaktere që Milkani nuk do ti harronte kurrë lindi edhe një dashuri që do ta shoqëronte atë gjatë gjithë jetës. Ideja për realizimin e këtij filmi, Milkanit i kishte lindur që në vitin 1993. Tashmë ai ka arritur të realizojë këtë udhëtim në të shkuarën e tij, por një finale pozitive do të ishte po të takonte zonjën Shnajder, dashurinë e rinisë, një njeri që edhe tani pas kaq viteve ai nuk do ta rigjente dot.
Regjisori, producenti dhe bashkëautori i skenarit
Piro Milkani ka lindur në Shqipëri në vitin 1939. Në vitet 1956-1961 ka studiuar në FAMU pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë së bashku me J.Menzelin, V.Chytiloven, J.Jireshin apo J.Jakubiskon. Në Shqipëri për tridhjet vjet punoi në Kinostudion e Tiranës si skenarist, regjisor dhe kameraman. Ka xhiruar 24 filma artistike dhe dhjetra dokumentarë. Ka interpretuar si aktor në filmin italian Lamerika së bashku me Michele Placidon dhe në filmin qipriot Treni shkon drejt qiellit me Irene Papasin. Në vitin 1994 themeloi kompaninë filmike "Bunker Film" së bashku me djalin e tij Eno.Filmi dokumentar "Kanun" i realizuar së bashku me shkrimtarin francez Cizia Zyke është cfaqur në shumë vende të botës. Sukses kanë pasur edhe filmat "Ngadhënjim mbi vdekjen" dhe "Shtigje lufte" të cilat në Kinë janë parë nga miliona spektatorë. Në vitet 1998-2002 ka qenë Ambasador i Shqipërisë në Republikën Ceke. Aktualisht është Drejtor i Forumit për mbrojtjen e të drejtës së autorit. Trishtimi i zonjës Shnajder është filmi i tij i fundit në bashkëpunim me republikën Ceke. Është kooproduksioni i parë shqiptaro-çek që u realizua nga regjisori shqiptar Piro Milkani, absolvent i FAMU-së së Pragës së bashku me djalin e tij Eno Milkani.
Ky lajm është publikuar: 11/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›