E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati për profesionin, tritol shtëpisë së avokatit

Autori i Lajmit: Redaksia
Një sasi e konsiderueshme tritoli ka shpërthyer pak minuta para mesnatës së të mërkurës derën e shtëpisë së një avokati të njohur në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja ka ndodhur në një pallat pranë rrugës kryesore të qytetit ne lagjen “Parruce”. Burime nga policia thonë se ngjarja ka lidhje me profesionin e avokatit, i cili njihet për trajtimin e çështjeve civile. Policia ka dalë në konkluzionin se autorët kanë vendosur rreth 400-500 gramë tritol pranë derës së apartamentit të avokatit Lepuri, ndërsa autorët janë ende në liri.
Ngjarja
Avokati Gjon Lepuri kishte vetëm 15 minuta që ishte kthyer në shtëpi, kur ndodhi shpërthimi i fortë që ka hedhur në tokë të gjitha dyert dhe dritaret e banesës në katin e tretë. Fatmirësisht dëmet ishin vetëm materiale dhe askush nuk është plagosur. Policia ka marrë në pyetje avokatin dhe deri tani nuk ka ende ndonjë pistë konkrete për ngjarjen, por dyshohet se ajo ka lidhje me profesionin, sipas deklarimeve të Lepurit. Nuk ka ende as ndonjë person konkret të dyshuar, policia thotë se është duke hetuar për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorit. Deri tani autorët kanë mbetur mister. Ndërsa në fillim u mendua se shpërthimi mund të kishte ndodhur nga ndonjë shpërthim i ndonjë bombole gazi, por më vonë gjithçka u sqarua dhe policia u kanalizua në pistën e atentatit ndaj avokatit. Hetuesit mësohet se po verifikojnë deklarimet e avokatit, si dhe çështjen gjyqësore që ai po mbron kohët e fundit, apo dhe të tjerat që ai ka mbrojtur më parë.
Kontrolli
Nga sa mësohet, policia ka bërë një kontroll të imtësishëm në shtëpinë e avokatit, por nuk ka harruar që të njëjtin kontroll ta bëjë edhe në makinën e këtij të fundit për të verifikuar nëse gjendej ndonjë mjet tjetër shpërthyes. Por, për fat të mirë gjithçka ka rezultuar negative.
Ky lajm është publikuar: 11/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›