E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bele: “Jo burg për përdoruesit e drogës”

Autori i Lajmit: Redaksia

“Të ndryshohet politika e dënimit për narkotikët”, këtë pohim e bëri dje, ish-prokurori Koli Bele. Sipas tij, ligji aktual nuk bën dallimin mes trafikantit dhe përdoruesit të lëndëve narkotike.
Bele shprehet se Kodi Penal parashikon një sanksion që është i ashpër dhe niveli i dënimit varion nga 5 vjet burg, prandaj ka nevojë për një rishikim. Ai shtoi gjithashtu se aplikimi i ligjit duhet të rishihet, pasi dënon rëndë edhe përdoruesit e saj duke shtuar se burgosja e përdoruesve nuk është zgjidhja e problemit me drogat.
Shtimi i të dënuarve për drogë
Për sa i përket shtimit të numrit të të dënuarve për drogë, Bele theksoi se shifrat e larta janë mjaft shqetësuese dhe se në dhënien e dënimit duhet pasur parasysh të bëhet dallim mes trafikantit dhe përdoruesit dhe penalizimi i këtij të fundit është i panevojshëm. Sipas tij, dënime të tilla të ashpra nuk mund të jepen në të ardhmen. “Qeveria duhet të rishikojë ligjin, i cili i trajton si përdoruesit ashtu edhe trafikantët e drogës me të njëjtën masë ndëshkimore. Në të ardhmen përdoruesit duhet të marrin dënime më të lehta, apo të mos dënohen fare, nëse posedojnë sasi të vogla droge”, shprehet ai. Në bazë të ligjit aktual, një përdorues nuk duhet të ketë me vete më shumë se 0.5 gramë drogë.
Droga, tendenca në rritje
Edhe në analizën më të fundit të Gjykatës së Krimeve të Rënda është dalë në konkluzionin se trafiku i lëndëve narkotike mbizotëron çështjet nën gjykim. Po të njëjtin fat ka pasur këtë vit edhe prokuroria. Procedimet që lidhen me hetimin e trafikut të lëndëve narkotike përbëjnë 45 për qind të punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pothuajse 99 çështjet që hetohet në këtë organ akuze, kanë lidhje me trafikun e drogës, faktor ky që tregon se Shqipëria vazhdon të mbetet një vend që për shumë trafikantë, konsiderohet si rruga kryesore për të kaluar mallin në perëndim. Sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar gjatë vitit 2009, ka të bëjë me operacionin e koduar “Kështjella”, ku u bllokua 40 kg heroinë dhe u arrestuan tre shtetas gjermanë dhe dy shqiptarë. Po kështu, gati të gjitha rrjetet kriminale që kapen në Itali, që kanë lidhje me veprimtarinë e jashtëligjshme të trafikimit të drogës kanë si protagonistë edhe shqiptarë. Fenomeni duket se është bërë shumë shqetësues kohët e fundit për organet e drejtësisë në vend, por dhe në anën tjetër të kufirit.

Ky lajm është publikuar: 11/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›