E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç, mes miteve dhe evropianizmit

Autori i Lajmit: Nga Mateo Taconi

Zakonisht gazetarët i ndjekin politikanët për të bërë ndonjë intervistë me ta. Kurse, duket se në Serbi gjithçka është e kundërta. Thuhet se bashkëpunëtorët e shërbimit informativ të presidentit Boris Tadiq vetë vrapojnë pas gazetarëve. Sot i japin një informatë njërit, nesër një tjetër-tjetrit, pasnesër një të treti, e kështu me radhë, në një rreth magjik. Kështu, falë punës së palodhshme të shërbimit informativ, shefi i shtetit siguron praninë e tij të vazhdueshme në gazetat dhe revistat lokale, duke mos harruar as mediet ndërkombëtare. Gjatë këtij procesi, ai ruan imazhin e një personi të respektuar. Pa marrë parasysh që ato intervista të tij janë të njëjta dhe që, sipas disa gojëkëqijve, paraqesin një monolog të mërzitshëm.
Situatën në Serbi e ka analizuar ish-diplomati serb, Dushan Bogdanoviq, i cili dy herë është sulmuar për motive politike - për herë të parë gjatë kohës së Milosheviqit, e herën e dytë pas vrasjes së kryeministrit reformator, Zoran Xhinxhiq. Ai tani punon si analist në një organizatë që ofron mbështetje për shoqërinë civile - "Jukom". Sipas mendimit të tij, dëshira e imponueshme për të përndjekur mediet lidhet me ndikimin e kufizuar të presidentit Tadiq.
Tadiqi nuk ia del me Serbinë
"Tadiqi është duke u përqendruar në vetveten e tij dhe është duke u munduar që ta përmirësojë imazhin e tij, për shkak se nuk mund ti zgjidhë problemet me të cilat është duke u ballafaquar vendi. Gjatë tërë historisë së Serbisë, aty kanë qenë të pranishme tendencat moderne dhe konservatore. Tadiqi nuk e ka zgjedhur këtë problem. Ai shkon kah afrimi me Evropën, por nuk largohet nga Rusia. Ai flet për një Serbi liberale dhe bashkëkohore, por në të njëjtën kohë bie nën ndikimin e spiritualitetit ortodoks. Ai mundohet që të pajtohet me Bosnjën, duke dalë me idenë e rezolutës parlamentare, me anë të së cilës gjykohen krimet e serbëve të Bosnjës të vitit 1995 në Srebrenicë, duke heshtur arsyet që e kishin shtyrë Serbinë që të organizonte gjakderdhje jo vetëm në Srebrenicë, por edhe në pjesët e tjera të Bosnjës".
Bogdanoviq kritikon edhe politikën ekonomike të presidentit. "Ai nuk ka krijuar infrastrukturën e nevojshme, nuk ka ndërtuar as spitale, as shkolla". Në Serbi ka 500.000 njerëz të papunë dhe 1,5 milion pensionistë. Paga mesatare mujore është 350 euro dhe, sipas rregullit, çdo punëtor mban edhe tre njerëz të tjerë. Problemeve sociale nuk u kushtohet vëmendja e duhur. Mund të themi se gjatë kohës së Milosheviqit këtyre problemeve u ishte kushtuar një vëmendje më e madhe", thotë Bogdanoviq, me të cilin bisedojmë në një kafene elegante të qendrës historike të Beogradit.
Tani, kur ka kaluar gjysma e mandatit të tij të dytë presidencial, gjithnjë e më e fuqishme është ndjenja se Tadiqi nuk do tia dalë që të realizojë planet e tij, për ta bërë Serbinë një vend të zhvilluar evropian. Nuk ka dyshim se ai ka shumë arsyetime për këtë. P.sh, kriza ekonomike ka pasur pasoja të mëdha për Serbinë, për çka Brukseli përsëri ka shtyrë zgjidhjen e çështjes së Ballkanit. Apo, ai mund të përmend edhe ekzistimin e bllokut ende të fuqishëm të nacionalistëve që, me rastin e çdo përpjekjeje për tu pajtuar me ish-armiqtë dhe të rishqyrtimit të historisë së re, me protestat e tyre nxeh opinionin publik. Por edhe duke pasur parasysh këto pengesa, puna e Tadiqit nuk do të mund të vlerësohej si e kënaqshme. Ja çka thotë për këtë Sonja Biserko, kryesuesja e zyrës së Beogradit të Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut. "Vetëm Tadiqi dhe Partia Demokratike e tij kanë autorizimet e nevojshme për të realizuar prioritetet themelore të vendit tonë. Aty bëjnë pjesë përshtatja e sistemit të drejtësisë me kërkesat e BE-së, zgjidhja e çështjes së Bosnjës dhe Kosovës, rritja e standardit jetësor, e po ashtu edhe integrimi social i pakicave kombëtare dhe të shtresave të margjinalizuara sociale, sikur që janë refugjatët dhe veteranët e luftës. Faktet janë evidente. Ne nuk ia kemi dalë që të zgjidhim këto probleme dhe, marrë në përgjithësi, nuk kemi gjetur përgjigje në dilemën serbe".
Serbia bën dy hapa, e më pas ndalet, merr në thua. Vetëm pak shkon përpara, e më pas kthehet në pozicionet fillestare. Ajo luhatet (hamendet) midis bashkëkohores dhe tradicionales. Ngrehë zvarrë mitet e saj. Në këtë mënyrë, dilema vetëm sa vjen duke u rritur - edhe në kohën kur pranë timonit të shtetit gjendet një politikan aq proevropian sikur që është Tadiqi.
Shtet i ngarkuar me mite
Sipas fjalëve të sociologes nga Instituti i shkencave sociale në Beograd, Irena Ristiq, ekziston edhe një faktor i cili e ushqen dilemën serbe. Sipas pikëpamjes së saj, Serbia sipas të gjitha karakteristikave, ende është një shtet i paformuar.
"Në mesin e elitës politike, ende është e pranishme dëshira që të formohet një shtet nacional me përmbajtje kulturore dhe etnike të njëllojtë. Dëshmi për këtë është edhe fakti që Boris Tadiq pozicionohet jo vetëm si president i serbëve të Serbisë, por edhe si lider i serbëve të Bosnjës dhe të Kosovës. Kjo ndodhë për shkak se klasa qeverisëse është tepër e dobët. Ajo nuk është në gjendje që të pranojë që i kemi humbur luftërat. Ajo është tepër e ngarkuar me mite të ndryshme. Përpos kësaj, Serbia gjithmonë e ka parë veten në qendër, gjë që e sheh edhe sot. Dikur ajo ishte qendër e Jugosllavisë, e sot Serbia ndihet si qendër e Ballkanit. Ajo e konsideron veten si më të fortën, shtetin lider të rajonit. Serbisë i duhet që të heqë dorë nga mitet e këtilla".
Ky lajm është publikuar: 11/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›